Kosova do ta nderojë presidentin amerikan me çmimin e saj më të lartë

Kosova do ta dekorojë presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, me çmimin e saj më të lartë për rolin e tij në ndihmën që Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshje që synon normalizimin e lidhjeve ekonomike.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një letër të cilën e ka parë Reuters, e ka informuar presidentin Trump se do t’i ndahet medalja e Urdhrit të Lirisë.

Dy ndihmës të Trumpit, këshilltari për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien dhe Richard Grenell, i dërguari i presidentit Trump për bisedimet Kosovë-Serbi, do të nderohen me Medaljen Presidenciale të Meritave.

Në fillim të shtatorit, në Shtëpinë e Bardhë është nënshkruar një marrëveshje nga Kosova dhe Serbia për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike.

Në letrën e tij drejtuar presidentit Trump, Hashim Thaçi shpreh “mirënjohjen e thellë për kontnributin tuaj personal në ndërmjetësimin e marrëveshjes”. Po ashtu, në të presidenti kosovar fton homologun e tij amerikan ta vizitojë Kosovën.