Foto: MKRS

Kosova dhe Turqia nënshkruajnë marrëveshje për bashkëprodhime në fushën e filmit

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës, Vlora Dumoshi dhe Ministri i Kulturës dhe Turizmit i Turqisë, Mehmet Nuri Ersoy, kanë nënshkruar sot marrëveshjen ndërshtetërore e cila do të rregullojë dhe promovojë bashkëprodhimin filmik në mes të Kosovës dhe Turqisë.

MKRS njoftoi se marrëveshja e nënshkruar ka për qëllim që të përcaktojë bazat që kanë të bëjnë me prodhimin e përbashkët të filmit dhe serive televizive.

Po sipas kësaj komunikate, marrëveshja përcakton themelimin e nënkomisionit për bashkëprodhimet e filmave dhe serive televizive, të përbërë nga përfaqësuesit e autoriteteve kompetente të secilës palë dhe të bashkë-kryesuara nga palët.

“Kjo marrëveshje përtej detajeve dhe modaliteteve që përcakton, ka një rëndësi të madhe për bashkëpunimin kulturor, sidomos atij në fushën e kinematografisë, midis Kosovës dhe Turqisë dhe për marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve”, citon komunikata të ketë thënë ministrja Vlora Dumoshi, pas nënshkrimit të marrëveshjes.

Foto: MKRS