Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci dhe Ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Jashar Gyler. Foto: Ministria e Mbrojtjes e Kosovës
Kosova dhe Turqia nënshkruajnë marrëveshje në fushën e mjekësisë ushtarake
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe homologu i tij turk, Jashar Gyler, kanë nënshkruar marrëveshje në fushën e mjekësisë ushtarake.
Palët janë marrë vesh për rritje të kuotave për trajtimin e ushtarakëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në institucionet mjekësore ushtarake të Turqisë.
“Me këtë marrëveshje, kuota e trajtimeve mjekësore falas në dispozicion të ushtarakëve tanë rritet nga 50 në 75 në vit apo për 50 për qind më shumë” – thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës.
Pos këtyre, sipas njoftimit, kjo marrëveshje do të mundësojë edhe realizimin e ushtrimeve të përbashkëta në fushën e mjekësisë ushtarake, trajnime mjekësore para zbarkimeve ushtarake, shkëmbimin e personelit mjekësor, veprimtaritë shkencore dhe shkëmbim i informacionit mjekësor, edukim profesional për pjesëtarët e FSK-së në Akademinë Mjekësore Ushtarake të Turqisë në mjekësi të përgjithshme, stomatologji, infermieri dhe farmaci.
Deri më tani, Ministria thotë se mbi 300 ushtarakë të FSK-së janë trajtuar pa pagesë në institucionet e specializuara shëndetësore ushtarake turke.
Ministri Maqedonci po qëndron në vizitë zyrtare në Turqi. Ai atje është takuar edhe me Haluk Bayraktar, drejtorin ekzekutiv të kompanisë turke “Baykar”, prodhuese e dronëve ushtarakë “Bayraktar” si dhe ka marrë pjesë në ekspozitën ndërkombëtare të mbrojtjes dhe hapësirës ajrore, SAHA Expo.