Foto:Facebook/MPJD
Kosova dhe Shqipëria nisin procedurat për realizimin e tekstit mësimor për diasporë
Komisioni i Përbashkët Shqipëri–Kosovë për Miratimin e Teksteve Mësimore për Diasporën, ka shpallur thirrjen për aplikim për recensentë për vlerësimin e tekstit mësimor për mësimin plotësues të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë dhe në mërgatë.
Teksti mësimor plotësues ka titullin “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare” niveli I.
Sipas njoftimit, të drejtë aplikimi kanë të gjithë individët që përmbushin kushtet dhe kriteret e përcaktuara në paketën e dokumenteve mbi procedurat e zhvillimit të konkursit të teksteve mësimore për Diasporën.
Kjo paketë e dokumenteve është miratuar në shkurt të këtij viti nga Ministria e Arsimit të Kosovës si dhe Shqipërisë dhe Ministria e Diasporës.
Aplikimi për recensentë është i hapur nga data 14 qershor deri më 9 korrik 2021.
Për më shumë detaje rreth konkursit klikoni në këtë link.
Kosova dhe Shqipëria kanë arritur marrëveshje për mësimin plotësues në diasporë, por ende nuk ka filluar së zbatuari një gjë e tillë.