Foto: Mirosllav Lajçak / Twitter

Kosova dhe Serbia para përballjes së re në nivel kryenegociatorësh, BE-ja konfirmon datën

Takimi i ardhshëm mes kryenegociatorëve të dialogut Kosovë- Serbi, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq i ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, do të mbahet të martën më 17.09.2024.

Kështu konfirmoi për KALLXO.com, zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano.

“Mundësia e parë për këtë ri-angazhim është takimi i ardhshëm i kryenegociatorëve në Bruksel më 17 shtator 2024”- tha Stano, duke shtuar që rruga përpara për të dyja palët është të riafirmojnë angazhimin e tyre konstruktiv në procesin e normalizimit.

Para se të merrej vendimi për datën 17, pati deklarime se takimi i planifikuar ishte refuzuar nga pala serbe.

Zëvendëskryeministri Bislimi të premtën më 13.09.2024, kishte deklaruar se Serbia e ka refuzuar takimin në nivel kryenegociatorësh të planifikuar më 17 shtator, sipas rendit të ditës të përcaktuar nga ndërmjetësi i Bashkimit Europian, Miroslav Lajçak.

Kështu i kishte reaguar Bislimi, medias serbe ‘Tanjug’, pasiqë kjo e fundit kishte raportuar se pala kosovare refuzoi takimin.

Fillimisht, kryenegociatori i palës kosovare tha se Serbia u mundua të imponojë pika të rendit të ditës “të destinuara për konsum të brendshëm politik”.

Më 06.09.2024, Lajçak vizitoi Kosovën.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Lajçak deklaroi se është arritur pajtim për rundin e ri të dialogut mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq.

Pas katër ditësh nga ai takim, Lajçak vizitoi edhe Serbinë “për përgatitjen për takimin e ardhshëm në nivel të kryenegociatorëve”.

Edhe pse ishte planifikuar më herët, ky takim mes dy palëve po i vjen i pari mbas masave të vendosura nga Serbia karshi Kosovës.

Gjatë adresimit të tij më 13 shtator presidenti serb Aleksandar Vuçiq, kërkoi shpalljen e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës, kthimin e serbëve në Policinë e Kosovës dhe gjyqësor, si dhe tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga rajoni i veriut.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, pas takimit në Bruksel, më 02.07.2024, pati deklaruar se pala serbe dëshiron vetëm zbatimin e pjesshëm të Marrëveshjes bazë – të ecet përpara me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Para gazetarëve, ai pati thënë se tri temat që kanë dominuar në atë takim kanë qenë formalizimi i marrëveshjes dhe finalizimi i planit të sekuencimit, zbatimi i marrëveshjes së energjisë dhe çështja e personave të zhdukur me dhunë në luftë në Kosovë.

Kryenegociatorët Bislimi dhe Petkoviq kanë mbajtur një sërë takimesh trepalëshe me ndërmjetësim të Lajçakut, porse të gjitha kanë qenë me fokus në çështjen e Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, e cila parasheh euron, si valutën e vetme në vend.

Edhe pas shtatë takimeve, palët nuk kishin arritur pajtim për ndonjë zgjidhje kompromisi.

Ndërkaq, kryeministri kosovar Kurti dhe  presidenti serb Aleksandër Vuçiq për herë të fundit u takuan më 14.09.2023, kur diskutuan për zbatimin e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve. Por ky takim rezultoi pa ndonjë përparim, për shkak të qëndrimeve kontradiktore të palëve.

Në mars të vitit 2024, u shënua një vit qëkur në Ohër të Maqedonisë së Veriut, kryeministri kosovar dhe presidenti serb, ranë në ujdi që të zbatojnë Aneksin e Marrëveshjes Bazike që ishte arritur në Bruksel, në ditët e fundit të shkurtit 2023.

Dy liderët u pajtuan që Kosova dhe Serbia të zhvillonin marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën dhe ndër tjera t’i njihnin dokumentet relevante dhe simbolet kombëtare të njëra-tjetrës, përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore.

Kosova merrte obligime për t’i zbatuar marrëveshjet e arritura më herët, përshirë atë që e parasheh krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ndërsa Serbia nuk do ta kundërshtonte anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Dhe, me gjithë pritjet se gjërat po merrnin rrjedhë pozitive, zhvillimet e mëvonshme në terren quan procesin në kah krejt të kundërt. E marrëveshja mbeti vetëm në letër.