
(Ilustrim) Bislimi- Petkoviq- Lajçak FOTO: Twitter
Kosova dhe Serbia pajtohen për zbatim të plotë të Deklaratës për Personat e Zhdukur
Kosova dhe Serbia janë pajtuar për zbatimin e plotë të Deklaratës së Përbashkët për Personat e Zhdukur, gjatë një takimi trepalësh mes kryenegociatorëve të të dyja vendeve, me të dërguarin e Bashkimit Evropian në Bruksel të martën.
Shefi i delegacionit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq e konfirmuan këtë pas takimit me përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.
Bislimi tha se Kosova dhe Serbia do ta kenë një Komision të përbashkët, i cili do të fillojë të merret me këto çështje prej janarit.
“Tani mund të ecim tutje, që gjatë muajit të ardhshëm të mbahet mbledhja e parë e Komisionit të përbashkët. Ka premtime nga ana e Serbisë, që nuk do të ketë tendenca se në të ardhmen puna e këtij Komisioni të pengohet.” – tha Bislimi.
Sipas Kryqit të Kuq, në Kosovë janë ende 1.612 persona të pagjetur nga lufta.
Petkoviq tha se është ndërmarrë “hapi i fundit i nevojshëm” për çështjen e personave të zhdukur dhe se tani është hequr edhe pengesa e fundit, sa i përket zbatimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur.
“Kemi Deklaratën, kemi Rregulloren e punës dhe tani kemi rënë dakord për një Komision të përbashkët, që do të mbështesë grupin e punës, të cilin, si deri tani, e kryeson Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq.” – tha ai.
Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje më 2023 për Deklaratën e Përbashkët për Personat e Zhdukur, në kuadër të Dialogut për normalizimin e marrëdhënieve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.
Zotimet që u bënë me këtë Deklaratë përfshijnë: qasje të plotë në informacione të besueshme, mes tyre edhe ato me status të klasifikuar; vënie në dispozicion të të gjitha dokumenteve me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, si dhe punë të përbashkët përmes një Komisioni të kryesuar nga Bashkimi Evropian.
Por, deri tani, asnjë prej këtyre nuk është realizuar në praktikë.
Takimi i fundit në këtë nivel në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja është zhvilluar më 23 tetor në Bruksel. Prej atëherë nuk ka pasur takime të tjera.
Sipas burimeve diplomatike të BE-së, Lajçak u ka raportuar ndërkohë përfaqësuesve të vendeve anëtare për gjendjen me Dialogun dhe ka thënë se palët kanë treguar mungesë të qartë të gatishmërisë e vullnetit për të bërë ndonjë progres, në zbatimin e Marrëveshjes mes dy vendeve.
Ndërkohë, përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas ka shprehur gatishmërinë që të angazhohet aktivisht në procesin e Dialogut./ REL