Kosova dhe Maqedonia Veriore diskutojnë për pikë të përbashkët kufitare

Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi ka pritur sot në takim ministrin e Transportit të Maqedonisë së Veriut, Blagoj Boçvarski.

Abrashi njoftoi se janë pajtuar për hapjen e një pike kufitare të përbashkët që mundëson lehtësimin e qarkullimit të mallrave dhe qytetarëve ndërmjet dy vendeve.

“Janë disa pika qe do te fillojmë t’i punojmë përmes kabineteve dhe grupeve punuese që kanë te bëjnë për ndërlidhje më të mirë për njerëzit dhe bizneset. Është prioritet pika kufitare e përbashkët, kjo ka me ndiku qe të ketë më pak pritje. Pika tjetër është për autostradën në pjesën e Maqedonisë, biseduam edhe për ndërlidhjen hekurudhore me te mirë. Një projekt tjetër qe e diskutuam është fillim i fizibilitetit të rrugës Prizren – Tetovë, është diçka qe do të punojmë për t’i lidh këto regjione më mirë. Pikë tjetër që u pajtuam është me hapë një pike kufitare në Strezimir, pjesa pas Dragashit, ne planifikojmë të përfundojmë infrastrukturën deri në qershor”, tha Abrashi.

Ai deklaroi se këto pika do të konkretizohen në mbledhjen që do të mbahet së shpejti mes dy qeverive.

Ndërkaq, ministri maqedonas bëri të ditur se deri në vitin 2022 do të përfundojë edhe ndërtimi i autostradës në pjesën e mbetur në Maqedoninë e Veriut, që lidhet me Kosovën.

“Jemi duke punuar me projektin kryesor të autostradës me Kosovën që do të kushtojë 110 milionë euro dhe do të mundohemi të përfundojmë sa më shpejtë. Pritet të përfundojë në vitin 2022, por kemi të bëjmë me një terren të komplikuar nga Shkupi”, tha Boçvarski.