Ilustrim

Kosova dhe Maqedonia e Veriut nënshkruajnë marrëveshje për tregtim të energjisë

Operatori i sistemit të transmetimit të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe ai i Maqedonisë së Veriut (MESPO) sot kanë nënshkruar marrëveshjen operacionale për tregtim të energjisë në mes të dyja vendeve.

Në një komunikatë për media KOSTT thotë se kjo marrëveshje është për organizimin e ankandeve për alokimin e kapaciteteve interkonektive, duke krijuar kështu kushte për tregtim të drejtpërdrejtë të energjisë elektrike në mes të dy vendeve.

“Kjo marrëveshje është vazhdimësi e përmbushjes së obligimeve që rrjedhin nga kërkesat e ENTSO-E, e cila do të jetë në funksion të zhvillimit të tregut rajonal të energjisë dhe rritjes së sigurisë së furnizimit me energji elektrike për qytetarët e të dyja vendeve”, citohet të ketë thënë kryeshefi i KOSTT, Mustafë Hasani.

Ndërsa homologu i tij nga Maqedonia e Veriut, Kushtrim Ramadani, ka thënë se kjo është një ditë shumë e rëndësishme për të dy operatorët e sistemit.

“Meqenëse pjesëmarrësve në tregjet e energjisë elektrike në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut u mundësohet që të marrin pjesë në ankande dhe të blejnë kapacitete ndërkufitare për transmetimin e energjisë elektrike. Ky është një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një tregu rajonal dhe integrimit të mëtujeshëm në tregun e pan-evropian të energjisë elektrike”, citohet Ramadani.

Sipas komunikatës, ankandet në emër të të dy operatorëve do të realizohen nga CAO (Coordinated Auction Office for SEE/Zyra për Ankandin e Koordinuar të kapaciteteve interkonektive (ndërkufitare) për EJL), ku KOSTT dhe MEPSO janë themeluese dhe aksionare së bashku edhe me operatorët e sistemit të transmetimit nga Shqipëria (OST), Mali i Zi (CGES), Greqia (IPTO), Kroacia (HOPS), Bosnja dhe Hercegovina (NOSBiH) dhe Turqia (TEIAS).

“SEE CAO organizon ankande vjetore, mujore dhe ditore për alokimin e të drejtave të kapacitetit ndërkufitar në kufijtë e këtyre vendeve. SEE CAO është krijuar me qëllim që të centralizojë organizimin e ankandeve midis disa operatorëve fqinjë të sistemit të transmetimit, me qëllim të uljes së kostove dhe të sigurimit të kushteve të drejta për të gjithë pjesëmarrësit në tregjet rajonale të energjisë elektrike”, thuhet në fund të komunikatës së KOSTT.

Që nga dita e djeshme KOSTT-i operon i pavarur, duke hapur kështu një histori të re si zonë rregulluese brenda bllokut Shqipëri-Kosovë.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah  Hoti, pavarësimin energjetik të Kosovës e vlerësoi si një sukses të madh për vendin, ku shtoi se nga sot është vënë në funksion edhe linja e re me Shqipërinë.

“Kjo është një arritje e madhe, e cila ka ndodhur, pasi që KOSTT-i ka plotësuar të gjitha kushtet e parapara me marrëveshje dhe tani po operon i pavarur”,  tha Hoti.

Nga sot, KOSTT operon i pavarur

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.