Kosova dhe Maqedonia e Veriut me marrëveshje në mbrojtje dhe siguri

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj dhe homologia e tij e Maqedonisë se Veriut,  ministrja Slavjanka Petrovska kanë nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit për bashkëpunimin në fushat e mbrojtjes dhe sigurisë.

Sipas një komunikate të lëshuar nga kjo ministri thuhet se Mehaj në takim zyrtar ministren Petrovska ka thënë se memorandumi synon të bashkërendohet dhe sinkronizohet korniza ligjore, masat, veprimet dhe aktivitetet që sigurojnë zbatimin sa më të suksesshëm të gjitha marrëveshjeve.

“Procesi i integrimit të Maqedonisë së Veriut është përvojë që do të ndajmë së bashku në procesin tonë integrues euroatlantik”, tha Mehaj.

Ndërsa, ministrja Petrovska, thuhet se shprehu gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit bilateral në mes të dy vendeve, duke ofruar përvojën e procesit të integrimit në strukturat euroatlantike, në të cilat ka kaluar Maqedonia e Veriut, si dhe mbështetjen në proceset përkatëse nga niveli i vendit anëtar të NATO-s dhe vizionit për paqe, siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajonin dhe më gjerë.