Kosova dhe Gjermania bashkëpunojnë në fushën e mbrojtjes

Ministria e Mbrojtjes së Kosovës dhe ajo e Gjermanisë kanë mbajtur takimin vjetor bilateral në Berlin më 19 dhe 20 tetor 2021.

Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se qëllimi i takimit ishte bashkëpunimi dypalësh ndërmjet dy shteteve në fushën e mbrojtjes si dhe planifikimi i aktiviteteve të përbashkëta ndërmjet dy shteteve për vitin 2022, si dhe orientimet kryesore për periudhën e ardhshme.

“Zëvendësdrejtori i Bashkëpunimit Ndërkombëtar në Ministrinë gjermane të Mbrojtjes, kolonel Markus Harder, ofroi gatishmërinë e plotë për bashkëpunim dhe u shpreh i hapur lidhur me avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit, si në aspekt të shkollimit, trajnimit, shkëmbimit të përvojave si dhe ekspertizës profesionale në shumë degë dhe lëmi ushtarake”, thuhet në njoftim.

Në këtë takim morën pjesë delegacioni i Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së me delegacionin e Forcave të Armatosura të Gjermanisë.

Kryesues të delegacionit të Ministria e Mbrojtjes dhe FSK-së ishin drejtori i Departamentit për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Integrime Euroatlantike në Ministrinë e Mbrojtjes, kolonel Sylejman Cakaj, i shoqëruar nga shefi i Planifikimit në Shtabin e Përgjithshëm të FSK-së, kolonel Agron Bajrami, atasheu i mbrojtjes së Republikës së Kosovës në Gjermani, nënkolonel Besim Gashi dhe shefja e Bashkëpunimit Bilateral në Ministrinë e Mbrojtjes, nënkolonel Remzie Zeqiraj.