Skenë nga filmi ‘Luaneshat e kodrës. Foto: QKK

Kosova dhe Franca afër nënshkrimit të marrëveshjes për bashkëprodhime kinematografike

Kosova dhe Franca do të nënshkruajnë në maj të këtij viti marrëveshjen për bashkëprodhime kinematografike.

Kështu ka bërë të ditur ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, përmes një postimi në Facebook.

Çeku ka shkruar se për nënshkrimin e kësaj marrëveshje ka marrë edhe konfirmimin e ministres franceze të Kulturës, Roselyne Bachelot – Narquin.

Çeku ka postuar edhe letër-konfirmimin që e ka pranuar nga ministra franceze për marrëveshjen.

“Marrëveshja përkatëse mes dy shteteve tona do të nënshkruhet gjatë Festivalit të Kanës në pjesën e dytë të muajit maj. Kjo marrëveshje u ofron mundësi dhe mbështetje shtesë filmbërësve të Kosovës për bashkëpunime kinematografike me partnerët francezë”, ka shkruar Çeku në Facebook.

Edicioni i sivjetmë i Festivalit të Kanës do të mbahet nga 17 deri më 28 maj 2022.