Kosova dhe diplomacia e saj në 13 vjet shtet

‘Lindja’ e një shteti të ri, 13 vjet më parë, Kosovës, pasoi me njohjen ndërkombëtare.

Vendi i parë që e njohu këtë realitet ka qenë Kosta Rika, për t’u pasuar nga ShBA-të, Franca, Shqipëria, Turqia e kështu me radhë deri në njohjen nga Izraeli e cila ndodhi para pak ditësh.

Deri më tani, sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kosovën e njohën 117 shtete.

Rruga 13 vjeçare në promovimin e kësaj shtetësie dhe anëtarësimi i Kosovës në mekanizma ndërkombëtar u shoqërua me suksese, dështime, skandale e sfida të cilat sipas njohësve të çështjeve politike, janë pasojë e mungesës së konsensusit nacional si dhe lëkundjeve të aleatëve ndërkombëtarë.

Në shtetësinë e saj, Kosova arriti të anëtarësohet në disa nga organizatat më të rëndësishme financiare e sportive, si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Federata Botërore e Futbollit, Federata Evropiane e Futbollit, Komiteti Olimpik, Organizata Botërore e Doganave.

Në këto vite Kosova u anëtarësua edhe në dy organizata ndërkombëtare për cilësi në arsim si ENQA dhe EQAR, nga të cilat u përjashtua për shkak të ndërhyrjeve politike brenda Agjencisë së Akreditimit.

Përpjekjet e Kosovës për tu rianëtarsuar në këto organizata, janë duke vazhduar dy vite pas përjashtimit.

Ndonëse me marrëveshjen e Uashingtonit Kosova është dakorduar që për një vit të pezulloj anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, vendi vazhdon të ketë synime për t’u bërë anëtare në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Bashkimin Evropian, Këshillit të Evropës, Organizatën Ndërkombëtare të Policisë Kriminale (INTERPOL) Agjencinë për Arsim, Shkencë dhe Kulturë të Kombeve të Bashkuara (UNESCO) e organizata tjera.

Mungesa e vizionit global dhe varësia nga aleatët ndërkombëtar

Analisti Butrint Berisha nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike në një prononcim për KALLXO.com, ka thënë se sfida më e madhe e Kosovës mbetet ‘mungesa e njohjes universale’.

Sipas tij, Kosova në rrafshin ndërkombëtar përgjatë 13 viteve shtetësi, ka korrur edhe suksese.

“Sukseset kryesore të Kosovës janë arritja e mbi 100 njohjeve dhe themelimi i raporteve diplomatike me shumicën prej tyre, anëtarësimi në disa trupa të rëndësishëm ndërkombëtarë, duke përfshirë Bankën Botërore, Komisionin e Venecias dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar”, tha ai.

Berisha, si sukses të Kosovës ka përmendur edhe nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), e cila është marrëveshja e parë kontraktuale dhe e vetmja ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, e cila ka hyrë në fuqi më 1 prill të vitit 2016.

Sipas tij, ka pasur mundësi të që këto arritje të tejkalohen, gjë që nuk ka ndodhur për tre arsye kryesore, duke filluar nga mungesa e konsensusit nacional për relacionet me jashtë.

“Kosova ka ndjekur një politikë të jashtme goxha reaktive dhe nuk ka arritur të ndërtojë vizionin e saj global, gjë që e ka bërë të tejvarur nga aleatët e saj. Ndryshimet e rendit liberal kanë pasur ndikime të shumanshme brenda politikës ndërkombëtare, ndër tjera duke zbehur rëndësinë dhe urgjencën e aleatëve për ta prioritizuar lobimin për njohjen e Kosovës”, theksoi ai.

Për Berishën, Kosova ka pasur dy faza, ajo nga viti 2008 deri vitin 2015 për të cilën vlerëson se ka qenë e frytshme si dhe ajo pas vitit 2015 në të cilën Kosova pas pasur vështirësi serioze në arritjen e sukseseve ndërkombëtare.

“Kosova është tërhequr nga aplikimi ose nuk ka arritur të marrë votat e nevojshme, sikur në rastet në UNESCO dhe INTERPOL. Prandaj, kjo periudhë do duhej të shfrytëzohej për thellimin e raporteve dypalëshe, duke përfshirë sigurimin e përkrahjes për anëtarësim në mekanizma shumëpalësh”, tha ai.

Ngecja e diplomacisë dhe nevoja për strategji të re

Emrush Ujkani, profesor i së Drejtës Evropiane në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se Kosova në rrafshin ndërkombëtar nuk ka arritur pritshmërinë e qytetarëve të saj, por as aleatëve.

“Diplomacia e vendit nuk është që nuk ka punuar dhe nuk ka të arritura, duke qenë se kemi zhvillime dramatike dhe duke e parë ecjen e vendeve të tjera të rajonit, në aspektin e agjendës së diplomacisë por edhe agjendës evropiane, Kosova nuk ka arritur ta rrumbullakoj këtë proces që ka qenë e pritur nga qytetarët dhe aleatët”, tha ai.

Sipas Ujkanit, sidomos në vitet e fundit, Kosova ka stagnuar dhe ka qenë pa strategji karshi fushatës së Serbisë për tërheqje të njohjeve dhe pengesë në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

“Ka pasur një stagnim të diplomacisë në këto 5-6 vitet e fundit dhe pastaj edhe në rënien e numrit të njohjeve, ne e dimë që numri nuk mund të jetë si në fillim, por procesi i Serbisë për çnjohje dhe një ofensivë jo adekuate e shtetit tonë në këtë drejtim për t’i parandaluar këto veprime”, tha ai.

Ujkani ka theksuar nevojën që lidershipi i ri ta ketë parasysh agjendën e politikës së jashtme të Kosovës.

“Nuk është vetëm shtimi i numrit të njohjeve, por një etablim i mirë i diplomacisë sonë, duhet të kemi një diplomaci e cila është koncize dhe jo të shoqërohet me skandale, si emërimet e njerëzve pa proces transparent. Ky ka qenë një dëshpërim i madh jo vetëm për vendet skeptike, por edhe për miqtë më të mëdhenj”, tha ai.

Kosova dhe nevoja për strategji

Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” Qerim Qerimi si suksese të Kosovës përgjatë këtyre viteve i ka përmendur vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) si dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me shtetet njohëse.

“Rezultati kyç lidhet me shkallën e njohjeve ekzistuese, sado e pakompletuar qoftë, me rezultatin në procesin këshillëdhënës GJND, me anëtarësimet në organizatat ekzistuese, kryesisht të karakterit ekonomik e financiar dhe me krijimin e një rrjeti misionesh diplomatike e konsullore dhe marrëveshjesh ndërkombëtare”, tha ai.

Qerimi ka përmendur edhe vakumin institucional dhe mungesën e vullnetit të Kosovës që të bëhet pjesë e organizatave ndërkombëtare.

“Ka pasur në të vërtetë vite të tera kur Kosova nuk ka pasur asnjë lloj kufizimi apo zotimi për sa u përket anëtarësimeve në organizatat ndërkombëtare dhe këto nuk kanë ndodhur”, tha ai.

“Gjithashtu, në periudha te caktuara, Kosova vet ka pas vonesa në procese të lidhura me krijimin e institucioneve dhe praktikisht vakum domethënës institucional për të ndjekur politika të mëdha të anëtarësimeve në organizatat ndërkombëtare”, shtoi ai.

Profesori universitar, ka thënë që Kosova duhet që ‘pauzën’ një vjeçare për mos anëtarësim në organizata ndërkombëtare, ta shfrytëzoj për të krijuar një strategji.

“Kosova nuk duhet të ketë pengesa për të punuar në krijimin e një terreni të përshtatshëm dhe konceptimin e një strategjie për anëtarësime ndërkombëtare, diçka që në thelb dhe pashmangshëm nënkupton krijimin e aleancave efikase dhe mobilizimin e mjaftueshëm ndërkombëtar te shteteve për të siguruar mbështetjen e domosdoshme, shpeshherë dhe në varësi të organizatave, numerikisht substanciale”, tha ai.