Foto: ZKM

Kosova dhe BE-ja nënshkruajnë marrëveshjen IPA-2022 në vlerë mbi 62 milionë euro

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, kanë nënshkruar marrëveshjen financiare Programin vjetor IPA 2022.

Përmes këesaj marrëveshje me BE-në, Kosova përfiton 62.25 milionë euro për projekte në fusha të ndryshme.

Bislimi ka thënë se këto mjete do të përdorën për energjinë e gjelbër, efiçiencën e energjisë, menaxhimin e mbeturinave, etj.

“Me nënshkrimin dhe hyrjen në fuqi të IPA 2022 Kosova po përfiton edhe 62.25 milionë euro nga Bashkimi Evropian, të cilat do të zbatojnë një sërë projektesh, sikurse përkrahja për profesionet e lira në Kosovë, Instrumenti për përafrimin me standardet e Bashkimit Evropian, përkrahje për mjedisin dhe energjinë e gjelbër, efiçienca e energjisë, ekonomia qarkore dhe menaxhimi i mbeturinave, ujërat e zeza, zhvillimi i përgjithshëm socio-ekonomik, si dhe përkrahja për kthimin dhe integrimin e komuniteteve”- ka thënë Bisllimi.

Ai ka thënë se projektet do të bashkëfinanciohen edhe nga buxheti i Kosovës.

“Përveç fondeve të siguruara nga BE-ja, projektet do të bashkëfinancohen nga buxheti ynë në shumën prej 4.7 milionë euro dhe me financim nga partnerët e tjerë dypalësh në vlerë prej 24.88 milionë euro. Pra, realizimi i mjeteve do të arrijë në gjithsej 91.83 milionë”- ka thënë zëvendëskryeministri Bislimi.

Ndërsa, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Szunyog ka thënë se të gjitha këto kanë qëllim për të ndihmuar Kosovën të përparojë në rrugën e saj të integrimit në BE.

“Përdorimi i financimit të IPA-së është planifikuar me Qeverinë e Kosovës dhe synon fushat prioritare nga sundimi I ligjit, respektimi i të drejtave të njeriut dhe arsimi, deri te zhvillimi i infrastrukturës, mbrojtja e mjedisit, tranzicioni i energjisë së gjelbër, dhe lidhjet rrugore, hekurudhore dhe të TI-së”- shtoi ai.

Sipas njoftimit, marrëveshja me vlerë 62 milionë euro mbulon periudhën 2021-2027.

Muajin e kaluar BE-ja i dhuroi Kosovës 75 milionë euro në kuadër të Pakos për Mbështetje Energjetike për Ballkanin Perëndimor me qëllim që të ndihmojë qytetarët dhe bizneset të përballen me çmimet e rritura të energjisë, të stimulojë kursimin e energjisë dhe të përmirësojë efiçiencën e energjisë.