Kosova dhe BB marrëveshje 50-milionëshe për mbështetje të financave publike dhe rritjes së qëndrueshme

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka nënshkruar marrëveshje në vlerë mbi 50 milionë euro me Bankën Botërore për Evropë dhe Azi Qendrore për financimin e politikave zhvillimore (DPF), për financa publike dhe rritje të qëndrueshme.

“Ky financim, në shumën prej 50.6 milionë euro (ekuivalente me 56.4 milionë dollarë) mbështet prioritete të përzgjedhura shtetërore për periudhën 2021-2025, duke përfshirë reforma për të mbështetur transparencën fiskale, zhvillimin e sektorit privat, dhe forcimin e qëndrueshmërisë mjedisore në vazhdën e krizës së COVID-19”, thuhet në njoftimin e Bankës Botërore.

Ndërsa Anna Bjerde, zëvendëspresidente e Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore ka thënë se Kosova ka nevojë për rritje më të shpejtë dhe më të qëndrueshme që krijon vende pune dhe nxit produktivitet më të lartë.

“DPF-ja gjithashtu do të mbështesë një sërë masash për të përmirësuar mjedisin dhe kushtet për zhvillimin e sektorit privat, rëndësia e të cilit u pa edhe më shumë gjatë pandemisë. Sektori privat i Kosovës nuk përmbush pritjet për sa i përket krijimit të vendeve të punës dhe rritjes së produktivitetit. Ndër faktorët kufizues janë barra dhe pasiguria rreth kuadrit rregullativ, numri i lartë i kërkesave për licencim dhe inspektime biznesi, furnizimi jo i duhur me energji, dhe kuadri i paplotë ligjor për tregtinë elektronike, përfshirë këtu identifikimin elektronik”, thuhet në njoftim.

Banka Botërore ka njoftuar se operacioni i Financimit të Politikave Zhvillimore (FPZH) financohet me një kredi koncesionare nga Shoqata Ndërkombëtare e Zhvillimit (IDA) e Grupit të Bankës Botërore. Kredia ka një kohëzgjatje (maturim) prej 25 vitesh, me fillim të shtyer pagese (grejs-periudhë) prej 5 vjetësh.