Kosova dhe Arabia Saudite harmonizojnë tekstin e marrëveshjes për shërbime ajrore
Qeveria e Republikës së Kosovës dhe ajo e Mbretërisë së Arabisë Saudite kanë harmonizuar tekstin e marrëveshjes për shërbime ajrore në mes të dy vendeve gjatë negociatave dy ditore.
Këto negociata u drejtuan nga delegacionet teknike ndërshtetërore, të mbajtura më 29.07.2024 deri më 30.07.2024 në Riad të Arabisë Saudite.
Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës njoftoi se harmonizimi i tekstit të marrëveshjes është fryt i komunikimeve të vazhdueshme të delegacioneve teknike të të dyja vendeve që nga fillimi i këtij viti.
MMPHI tha se qëllimi i këtyre takimeve është për të krijuar mundësinë për fillimin e linjave ajrore direkte në mes të dy vendeve duke lehtësuar udhëtimin e qytetarëve, qarkullimin e mallrave dhe shërbimeve si dhe të nxisë zhvillimin e biznesit në të dyja vendet në mënyrë sa më të efikase.
Tutje u tha se delegacionet ndërshtetërore u zotuan që në afat sa më të shkurtër të përfundojnë procedurat ligjore në fuqi në të dyja shtetet, të parapara për nënshkrimin, ratifikimin, dhe hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshje.