Nënshkrimi i aplikimit për BE

Kosova bën hapin e parë drejtë anëtarësimit në Bashkimit Evropian

Dita e sotme e muajit dhjetor për Kosovën shënoi marrjen e hapit të parë për t`u bërë pjesë e Bashkimit Evropian.

Mes shumë emocionesh të cilat kapeshin nga shumë kamera të pranishme në presidencë, në një ceremoni zyrtare, tre krerët shtetëror, presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti, nënshkruan aplikacionin e Kosovës për t`u bërë pjesë e familjes evropiane.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani tha se ky është moment historik dhe një hap më afër drejtë Bashkimit Evropian.

“Ne jemi sot së bashku për të sjellë vendin tonë një hap më afër BE-së duke kontribuar po kështu që edhe BE-së të  afrohet një hap më afër jetësimit të projektit të Evropës së tërë, të lirë e në paqe. Për Kosovën dhe qytetarët e saj nuk ka pasur asnjëherë ndonjë alternativë tjetër, por ëndrrat bëhen realitet vetëm kur veprohet e ambiciet bëhen të prekshme vetëm kur punohet”- tha Osmani.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se Kosova meriton që të bëhet vend kandidat dhe ta fillojë rrugëtimin drejt hapjes së negociatave.

“Ne e meritojmë që të bëhemi vend kandidat dhe ta fillojmë rrugëtimin tonë drejt hapjes së negociatave për anëtarësim të plotë drejt Bashkimit Evropian, një fazë që synojmë ta arrijmë në një kohë sa më të shpejtë të mundshme”- tha Konjufca.

Kryeministri Albin Kurti tha që pengesat dhe sfidat drejt anëtarësimit në BE do të kalohen me zhvillim demokratik dhe me progres shoqëror.

“Progresi do të varet nga përkushtimi ynë për reforma të thella dhe transformuese të cilat e avancojnë demokracinë, e forcojnë sundimin e ligjit dhe e zhvillojnë ekonominë tonë. Shpejtësia me të cilën do të ecim do të varet nga ne. Prandaj, angazhimi i të gjithëve është i nevojshëm e përkushtimi i secilit, i domosdoshëm”- tha Kurti.

Për t`u anëtarësuar Kosova në BE duhet t`i plotësojë disa kushte që njihen si “Kriteret e Kopenhagës” duke përfshirë një ekonomi tregu funksionale, një demokraci të qëndrueshme dhe sundim të ligjit, si dhe pranimin e të gjithë legjislacionit të BE-së, duke përfshirë edhe euron.

Aplikacioni i Kosovës do t`i dorëzohet presidencës çeke të Bashkimit Evropian, pastaj presidenca do t’ia dorëzoj Këshillit, i cili më pas i kërkon Komisionit të vlerësojë aftësinë e aplikuesit për të përmbushur kushtet e anëtarësimit.

Nëse Komisioni dorëzon një opinion pozitiv, dhe Këshilli unanimisht miraton një mandat negocimi, atëherë hapen zyrtarisht negociatat midis vendit kandidat dhe shteteve anëtare në mesin e të cilave janë edhe 5 vendet mosnjohëse, si: Qipro, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja.

Vendet e rajonit mbi një dekadë rrugë drejt Bashkimit Evropian…

“Të bëhesh anëtar i BE-së është një procedurë komplekse që nuk ndodh brenda natës”- kjo është fjalia hyrëse në ueb-faqen e Bashkimit Evropian.

Aktualisht vende kandidate për në Bashkimin Evropian janë edhe shtetet fqinje, si: Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi, Bosnja Hercegovina, e pastaj edhe Turqia, Moldavia dhe Ukraina.

Ndërsa Kosova ka statusin e kandidatit potencial.

Shqipëria, kërkesën e saj zyrtare për anëtarësim në Bashkimin Evropian e ka bërë në vitin 2009. Aplikacioni i saj për t’iu bashkuar familjes së madhe të vendeve evropiane ishte shqyrtuar pas një viti ku edhe i ishin caktuar 12 priorite për t`i përmbushur.

Ndërsa kërkesës së saj për statusin e vendit kandidat, BE-ja kishte dhënë përgjigje pozitive në qershor të vitit 2014.

Në konkluzionet e tij të qershorit 2018, Këshilli përcaktoi rrugën drejt hapjes së negociatave të anëtarësimit në qershor 2019, në varësi të progresit të bërë në fusha kyçe si gjyqësori, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, shërbimet e inteligjencës dhe administrata publike.

Komisioni përsëriti rekomandimin për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit në Paketën e Zgjerimit të miratuar në maj 2019.

Ndërsa në mars 2020, anëtarët e Këshillit Evropian miratuan vendimin e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe në korrik 2020, drafti i kuadrit negociator iu prezantua shteteve anëtare.

Shqipëria zyrtarisht hapi negociatat për antarsim në BE, tek në korrik të këtij viti.

Mali i Zi aplikoi në vitin 2008 për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Këshilli shqyrtoi aplikacionin dhe Malit të Zi ia caktoi 7 priorite.

Negociatat e anëtarësimit me Malin e Zi filluan më 29 qershor 2012.

Pas tetë vjet negociatash për anëtarësim janë hapur të 33 kapitujt e shqyrtuar, nga të cilët 3 janë mbyllur përkohësisht.

Serbia ka aplikuar për anëtarësim në BE në vitin 2009, për t’iu dhënë statusi i vendit kandidat në mars të vitit 2012. Deri më tani, Serbia ka hapur tetëmbëdhjetë kapituj dhe ka mbyllur përkohësisht dy kapituj.

Maqedonia e Veriut aplikoi për anëtarësim në BE në mars 2004 dhe Këshilli vendosi në dhjetor 2005 t’i japë vendit statusin kandidat.

Në korrik të këtij viti, zyrtarisht Maqedonia Veriore bëri hapjen e negociatave për anëtarësim në BE.

Synimi i Kosovës për statusin e vendit kandidat në BE, një rrugë pa fund