Kosnett përgëzon Gjykatën e Prizrenit për vendimin për kompensim të familjes së Diana Kastratit

Ambasadori amerikan në Kosovës, Philip Kosnett, e ka përgëzuar Gjykatën e Prizrenit për vendimin që shteti të kompensojë me 95 mijë euro familjen e të ndjerës Diana Kastrati.

Pas 8 vjet, një muaj e 16 ditë që nga vrasja e Diana Kastratit, Gjykata e Prizrenit ka marrë vendim që prindërve të Dianës, Gëzim e Makfire Kastrati, t’u kompensohet dëmi për vuajtjen që kanë përjetuar me rastin e humbjes së vajzës së tyre, vrasje e cila besohet se erdhi si rezultat i dështimit të drejtësisë kosovare që të përmbushin detyrimin e tyre ligjor në mbrojtjen të raportueses/viktimës.

Me 95 mijë euro Gjykata e Prizrenit e ka vlerësuar vuajtjen/dhimbjen shpirtërore që i është shkaktuar prindërve të Dianës me rastin e vrasjes së vajzës së tyre, të holla këto të cilat Republika e Kosovës me anë të këtij vendimi është e detyruar t’ia paguajë Gëzim e Makfire Kastratit.

Gjykata e Prizrenit vlerësoi se me rastin e vrasjes së Diana Kastratit, vrasje e cila sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese erdhi si pasojë e mos veprimit të institucioneve të drejtësisë, prindërve të Dianës u është shkaktuar vuajtje e dhimbje shpirtërore.

“Gjykata Themelore e Prizrenit ndërmori një hap të madh përpara për sundimin e ligjit në Kosovë duke e gjetur shtetin përgjegjës për mos mbrojtjen e një qytetare nga dhuna në familje. A mundet Kuvendi të shkojë më tej duke miratuar një Ligj për përgjegjësinë e shtetit?”, ka shkruar ambasadori Kosnett në Twitter.

Diana Kastrati u vra më 18 maj të vitit 2011, në rrugë në afërsi të shtëpisë së saj në Prishtinë, nga ish-partneri i saj, me të cilin bashkëjetonte për më shumë se 10 vjet. Ata së bashku kishin një vajzë, por nuk kishin kurorë formale martesore.

Tri javë para se të vritej, ajo kishte dorëzuar një kërkesë në Gjykatën Komunale në Prishtine, për urdhër të mbrojtjes emergjente, por gjykata nuk kishte vepruar.

Përkundër që tanimë e ndjera Diana Kastrati kishte kërkuar mbrojtje emergjente, Gjykata e atëhershme Komunale e Prishtinës me mosveprim i kishte cenuar  këtë të drejtë duke mos i ofruar mbrojtje deri kur kërcënimi u realizua dhe Diana Kastrati u vra, siç u raportua nga ish-partneri i saj.

Me iniciativën e prindërve të së ndjerës, Gëzim e Makfire Kastrati me 17 prill 2012, deputeti/avokati Korab Sejdiu, Gjykatës Kushtetuese ia parashtroi kërkesën që kërkonte të deklarojë se dështimi i Gjykatës Komunale në Prishtinë, për të vepruar sipas kërkesës së Dianës, kishte shkelur të drejtat e saj në bazë të Kushtetutës.