Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kosnett: Nuk ka dallime mes Administratës Trump dhe asaj Biden në qasjen ndaj Kosovës

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, ka thënë se qëndrimet mes Administratës së presidentit Trump dhe asaj të presidentit Biden nuk janë shumë të ndryshme në qasjen e tyre ndaj Kosovës.

Kosnett në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se edhe pse metodat kanë qenë të ndryshme, strategjia amerikane për Kosovën nuk ndryshon.

“Nuk do të thosha se pajtohem që qëndrimet janë krejtësisht të ndryshme. Qartazi qasja, metodat e dy qeverive, të dy administratave amerikane kanë qenë mjaft të ndryshme, por nëse e shihni strategjinë e përgjithshme amerikane, qasjen e përgjithshme amerikane ndaj Kosovës, ajo nuk ka ndryshuar shumë përgjatë viteve, varësisht se kush është në Zyrën Ovale”, ka thënë Kosnett.

Ai ka potencuar se qëllimet e ShBA-së për Kosovën kanë mbetur të njëjta.

Tutje ambasadori theksoi edhe faktin që Biden ka pranuar marrëveshjen e Uashingtonit që u nënshkrua në kohën e Administratës Biden.

Kjo, sipas Kosnett, u bë pasi vendi i tij dëshiron të shohë Kosovën me lidhje të forta ekonomike me fqinjët e saj.

“Qëllimet tona të përgjithshme amerikane për Kosovën mbesin të njëjta: paqe, drejtësi, prosperitet.. Mendoj se p.sh. shumë njerëz u befasuan kur administrata e Bidenit, e cila i ndryshoi shumë nisma të politikës së jashtme të administratës paraprake, zyrtarisht i pranoi zotimet e Uashingtonit si të vetat sepse ne besojmë se përpjekjet për forcimin e lidhjeve ekonomike të Kosovës me fqinjët e saj, përfshirë edhe Serbinë, janë shumë të rëndësishme për ardhmërinë ekonomike të Kosovës”, shtoi tutje ai.