Philip Kosnett - Ambasador i ShBA-së në Kosovë

Kosnett mirëpret caktimin e tri seancave gjyqësore për rastin e veteranëve të rrejshëm

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett e ka mirëpritur caktimin e tri seancave gjyqësore që lidhen me rastin e “veteranëve të rrejshëm”.

Kosnett në Twitter ka shkruar se ky është një hap drejt sundimit të ligjit në Kosovë.

“Është mirë të shohësh që janë caktuar tri seanca gjyqësore radhazi në dhjetor për rastin e mashtrimit me pensionet e veteranëve të luftës – një hap përpara drejt sundimit të ligjit Kosovë”, ka shkruar Kosnett.

Sipas ambasadorit amerikan, qytetarët meritojnë një gjyqësor që i i merr parasysh rastet në kohën e duhur, pa kaluar javë ose muaj ndërmjet seancave.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në shtator të vitit 2018 ka ngritur aktakuzë kundër 12 të pandehurve, për lëndën e njohur në opinion si “Veteranët” në drejtim të veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në këtë rast janë të akuzuar Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaga, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.