Foto: KALLXO.com

Kosnett: Marrëveshja për fluturimet Kosovë-Serbi, fillimi i së ardhmes së ndritshme

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett është deklaruar për marrëveshjen e kthimit të linjës së fluturimeve Kosovë-Serbi.

Kosnett përmes një shkrimi në Twitter ka thënë se kjo marrëveshje është fillimi i së ardhmes së ndritshme për të dyja vendet.

“Presidenti Trump dhe ekipi i tij kanë punuar shumë për të arritur këtë marrëveshje, e cila është vetëm fillimi i së ardhmes së ndritshme për miqtë tanë në Kosovë dhe Serbi. Siç tha dje @POTUS, ky hap është fitore për rajonin. Faleminderit Ambasadorit Grenell & NSA O’Brien për udhëheqjen e tyre”, ka shkruar Ambasadori.

Linjës ajrore Prishtinë – Beograd, edhe presidenti i SHBA-së, Donald Trump ia ka kushtuar disa fjalë në llogarinë e tij në Twiter.

Presidenti Trump këtë e ka quajtur ‘një tjetër fitore’.

“Të gjithë thanë se nuk mund të bëhej. Por për herë të parë në një gjeneratë do të ketë fluturime direkte mes Serbisë dhe Kosovës. Tjetër fitore. Faleminderit ambasadorit Robert O’Brien dhe Ambasadorit Richard Grenell”, ka shkruar Presidenti Trump.

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg e ka mirëpritur qëllimin e dy linjave ajrore Eurowings dhe Grupit Lufthansa për të vendosur linje direkte mes Beogradit dhe Prishtinës, të nënshkruar dje në Berlin të Gjermanisë.

Stoltenberg e ka quajtur hap të rëndësishëm pasi që sipas tij, do të mundësohet qarkullimi i njerëzve dhe mallrave më lehtë dhe shpejtë brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor.

“Komandanti i misionit tonë të KFOR-it ruan autoritetin në hapësirën ajrore mbi Kosovën, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Dhe NATO do të mbetet i përfshirë përmes procesit të gjatë të Takimit të Normalizimit të Aviacionit në Ballkan, të cilin ne e udhëheqim”, thuhet në komunikatën e NATO-s të publikuar në faqen zyrtare.

Kosova dhe Serbia i kanë ndërprerë bisedimet për normalizim të marrëdhënieve pasi që Kosova  vuri taksën ndaj produkteve serbe në vitin 2018.