Kosnett: Gjuajtja me vezë e dëmton reputacionin e Kosovës

Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, ka thënë se dhuna në sistemin demokratik të Kosovës nuk ka vend.

Përmes një postimi në Twitter, Kosnett ka theksuar se dhuna me armë zjarri, gaz apo edhe vezë e dëmton reputacionin e Kosovës.

“Në sistemin demokratik të Kosovës nuk ka vend për dhunë, qoftë ajo armë zjarri, gaz apo vezë. Kjo nuk është shaka, dhe ata që përfshihen në dhunë dhe ata që e nxisin atë duhet ta marrin parasysh dëmtimin e reputacionit të Kosovës. Dhe, arsyetimi se ‘ata na bënin njëjtë’ nuk është arsyetim. Respektojeni demokracinë. Bisedoni me njëri-tjetrin”, ka shkruar Kosnett.

Të shtunën, zëvendëskryeministri i Kosovës nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti, është sulmuar me vezë nga disa persona.

Rasti ka ndodhur para ndërtesës së Qeverisë. Personat që e kanë sulmuar me vezë Hotin dëgjoheshin duke i kërkuar këtij të fundit të mos hiqet tarifa 100 % ndaj mallrave serbe.