Kosnett: Ekziston një dëshirë e madhe që Kurti të formojë Qeverinë

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, është shprehur i kënaqur më mbajtjen e zgjedhjeve të 14 shkurtit në Kosovë.

Kosnett në një intervistë në “T7”, tha se në Kosovë ekziston një dëshirë e madhe për t’iu dhënë rasti kandidatit për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurtit dhe kandidates për presidente, Vjosa Osmanit për ta formuar qeverinë e re.

“I njoh Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin mjaft mirë. Tashmë dhe mendoj se është e qartë që në Kosovë ekziston një dëshirë e madhe për t’iu dhënë rastin për ta formuar qeverinë dhe për ta udhëhequr vendin dhe mendoj se ata kanë vizion e energji dhe kjo është kohë shumë emocionuese për Kosovën”, tha Kosnett.

Lëvizja Vetëvendosje sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është partia e parë fituese në zgjedhjet e 14 shkurtit. LVV-ja si fituese e zgjedhjeve të 14 shkurtit, pritet që të formojë qeverinë e re.

Krijimi i qeverisë pritet të ndodhë pas konstituimit të Kuvendit të ri, proces ky që kërkon paraprakisht certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve.