Kosnett: Askush mbi ligjin, falë një qytetari të guximshëm, Inspektorati policor arrestoi tetë policë

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett, ka përshëndetur aksionin e arrestimit të tetë policëve nga Inspektorati policor i Kosovës.

Ai përmes një postimi në rrjetin Twitter ka thënë se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin dhe shtoi se i gjithë ky aksion erdhi nga një qytetar i guximshëm.

“Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, sot, falë një qytetari të guximshëm, Inspektorati Policor arrestoi tetë policë. Ky aksion erdhi si pjesë e një bashkëpunimi një vjeçar të Inspektoratit, Policisë dhe Prokurorisë”, ka thënë Kosnett.

Kosnett tutje shtoi se është inkurajuese të shohësh veprimin e policinë në raportimin e qytetarëve dhe mbajtjen para përgjegjësisë të zyrtarëve policor.

“Është inkurajuese të shohësh veprimin e institucioneve të Kosovës në raportimin e qytetarëve dhe mbajtjen para përgjegjësisë të zyrtarëve policor. Nëse shihni diçka, raportojeni atë”, ka shtuar tutje ambasadori Kosnett.

Mëngjesin e sotëm tetë zyrtarë policor u arrestuan në një aksion  të Inspektoratit Policor të Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë dhe Policinë.

Të njëjtit po dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ushtrim të ndikimit, keqtrajtim gjatë detyrës zyrtare si dhe blerje, shtije e posedim të lëndëve narkotike.

Tetë zyrtarë policorë të Stacionit Jugu në Prishtinë janë dërguar në mbajtje për 48 orë me vendim të Prokurorit.

Dërgohen në mbajtje tetë zyrtarët policorë që u arrestuan sot