Korrupsioni rrezik për investitorët, DASH: Përdorimi në rritje i koncesioneve ka ulur mundësitë e konkurrencës

Departamenti Amerikan të Shtetit shprehet sërish me nota të larta kritike për klimën e biznesit në Shqipëri. Raporti i DASH-it thekson se korrupsioni në gjyqësor dhe prokurime është i zakonshëm ndërkohë që e vë theksin edhe në projektet e Partneritetit Publik Privat që cilësohen problematike, pa një analizë të qartë kosto-përfitime dhe që kanë ulur mundësinë e konkurrencës, përfshirë dhe nga investitorët e huaj.

Shqipëria është ende një nga vendet më të korruptuara në Evropë, sipas Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit dhe treguesve të tjerë.

Raporti më i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit, shprehet sërish me nota të larta kritike për klimën e biznesit në vend.

Investitorët e huaj përmendin korrupsionin, veçanërisht në gjyqësor ku procedurat joefikase cenojnë mbrojtjen në Shqipëri dhe kërkojnë arbitrazh ndërkombëtar për të zgjidhur mosmarrëveshjet duke sjellë në vëmendje rastin e një kompanie amerikane.

“Në 2019 dhe 2020, përpjekja për investime e një kompanie amerikane dyshohet se u pengua nga disa vendime gjyqësore dhe veprime të dyshimta të palëve të interesuara të përfshira në një mosmarrëveshje mbi investimin. Çështja tani është në arbitrazh ndërkombëtar.”

Ashtu si shumë raporte të tjera, por edhe siç shpesh është raportuar në media, tenderat mbeten gjithashtu një sfidë.

Raporti i DASH thekson se një pengesë për investitorët e huaj mbetet dhe mungesa e transparencës në sistemin e prokurimit publik, por edhe zbatimi i dobët i kontratave.
Një barrë e rëndë për ekonominë shqiptare konsiderohen edhe koncesionet.

“Përdorimi në rritje i kontratave të partneritetit publik privat ka ulur mundësitë e konkurrencës, përfshirë investitorët e huaj, në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë. Analizat e dobëta të kostos dhe përfitimit dhe mungesa e ekspertizës teknike në hartimin dhe monitorimin e kontratave të PPP janë shqetësime të vazhdueshme”, raporton oranews.

Raporti vijon duke thënë se të drejtat e pronës vazhdojnë të jenë një sfidë në vendin tonë sepse është e vështirë të fitosh një titull të qartë dhe mbivendosja e titujve të pronave konsiderohet një çështje serioze dhe e zakonshme.