Kori 'Siparantum'. Foto: Facebook/MKRS.
Kori “Siparantum” do të përfaqësojë Kosovën në botërorin e koreve në Barcelonë
Kori “Siparantum” do të përfaqësojë Kosovën në Kupën Botërore të Koreve (The World Choral Cup), që do të mbahet në Barcelonë të Spanjës, nga data 23 deri më 28 tetor 2024.
“Siparantum” do të konkurrojë në kategorinë “Adult Choir”, duke interpretuar vepra nga periudha të ndryshme stilistike të kompozitorëve shqiptarë dhe të huaj.
Përmes një komunikate, Kori “Siparantum” ka njoftuar se ky event prestigjioz mbledh koret më të mira nga e gjithë bota dhe përfaqëson një platformë unike për të prezantuar muzikën dhe traditat tona kulturore në skenën ndërkombëtare.
“Kupa botërore e korit është një nga platformat më të rëndësishme në botë për muzikën korale, dhe ne jemi të nderuar që kemi mundësinë të përfaqësojmë Kosovën në këtë event. Kemi punuar me një përkushtim të madh për të sjellë një performancë të nivelit më të lartë dhe shpresojmë që edhe kësaj radhe do të jemi të suksesshëm”- citohet të ketë thënë Memli Kelmendi, dirigjent i korit.
Kori “Siparantum” është fitues i 14 çmimeve ndërkombëtare dhe aktualisht renditet ndër 25 koret më të mira në botë në kategorinë “Chamber Choirs & Vocal Ensembles”, sipas World Ranking List të Interkultur.
Kori “Siparantum” do të garojë në këtë Kupë Botërore të Korit me koret e 34 shteteve nga e gjithë bota.