Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Korenica: Të gjitha objektet publike do të kenë qasje për personat me nevoja të veçanta

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Rahovecit, Visar Korenica, ka thënë se në mandatin e tij do të përfundojë stadiumi i qytetit.

Po ashtu, Korenica ka thënë se të gjitha objektet publike do të krijojnë qasje për personat me nevoja të veçanta.

“Ne kemi në plan së pari me përfundu stadiumin e qytetit, me fonde të Ministrisë së Kulturës dhe do të kryhet brenda mandatit tonë. Në çdo objekt publik ku ka nevojë do të bëhen qasjet për persona me nevoja të veçanta. Edhe nëse ndërtohen rrugë të reja ato do të kenë shtigje për këta persona”, ka thënë Korenica.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Rahovecit, po diskutojnë në “Debat Përnime” për balotazhin e 14 nëntorit.

Të ftuar në emision janë kandidatët që kanë shkuar në balotazh në Rahovec: Smajl Latifi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Visar Korenica nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV).

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së për rundin e parë të zgjedhjeve që janë mbajtur më 17 tetor, kandidati i AAK-së Smajl Latifi i ka marrë 47,18 për qind të votave, kurse Visar Korenica nga LVV, ka siguruar 24,84 për qind.