Korenica flet për rastin e nxënëses me mbulesë në Pejë, Konjufca i thotë se fushata zgjedhore fillon në janar

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica gjatë seancës së Kuvendit më 26.09.2024 ka folur për rastin e një nxënëseje në Pejë, të cilës për shkak të mbulesës nuk i është lejuar të vazhdojë procesin mësimor në gjimnaz.

Sipas Korenicës, nuk ka kuptim që në Kuvend të vazhdojë procesi i votimit dhe mos të merret me ketë rast.

“Duhet ta dini që ka katër javë që një vajzë nuk po vijon procesin mësimor në Pejë dhe është e moshës madhore i ka 18 vjet. Çdo të dytën, tretën ditë paraqitet në shkollë dhe përjashtohet nga drejtori Musa Nikqi dhe nuk e kuptoj se sa e drejtë është që ne të qëndrojmë këtu dhe juve si kuvendar në krye të Kuvendit dhe vet ministrja të mos merret me rastin dhe t’i jep të drejtën vajzës të shkoj në shkollë. Nuk ka kuptim me vazhdu me procesin e votimit dhe mos u marrë me ketë rast dhe me i jep të drejtën [vajzës] si të gjithë fëmijëve tjerë për arsimim”- ka thënë ai.

Lidhur me ketë çështje, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, nuk u përgjigj por i dha një kritikë deputetit.

“Unë si kryetar i Kuvendit, meqë po kërkon të jem profesional duhet me ta tërheq vërejtjen që ishe jashtë rendit të ditës. Dhe besoj që fushata fillon ka 6, 7 janari dhe e keni të gjithë kohën e mjaftueshme me i ngrit problemet”- u shpreh Konjufca.

Një 18-vjeçare, nxënëse në Gjimnazin “Bedri Pejani” në Pejë, është paraqitur në shkollë me mbulesë fetare më 02.09.2024, në ditën e fillimit të vitit shkollor 2024/2025. Dhe, për shkak të mbulesës, asaj nuk i është lejuar ta vazhdojë procesin mësimor deri më tani.

Familja e 18-vjeçares ka kontaktuar Labinot Maliqin, imam në Prishtinë, i cili ka një kohë që trajton raste të nxënëseve që vendosin mbulesën gjatë shkollimit e që e luan rolin e ndërmjetësuesit mes familjes së nxënëses dhe drejtorit të shkollës.

Drejtori i Gjimnazit “Bedri Pejani” në Pejë, Musa Nikçi, ka thënë për KALLXO.com se nxënëses i është ofruar mundësia të vijojë procesin mësimor në formë online nëse vazhdon ta mbajë mbulesën.

Mësim alternativ apo ta heqë mbulesën – opsionet e Gjimnazit “Bedri Pejani” në Pejë për nxënësen e mbuluar