Kimi viziton një uzinë për pasurimin e uraniumit. Fotografia është publikuar nga Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve

Koreja Veriore publikon fotografitë e para të uraniumit të pasuruar

Koreja Veriore ka treguar për herë të parë fotografi të centrifugave për prodhimin e materialit për bombat e saj atomike, derisa lideri Kim Jong Un vizitoi të premten (13.09.2024) një impiant për pasurimin e uraniumit dhe bëri thirrje që të ketë ngritje të kapaciteteve prodhuese të kësaj natyre, raporton Reuters.

Mediat shtetërore kanë raportuar për vizitën e Kimit në Institutin e Armëve Atomike dhe për prodhimin e materialeve bërthamore bazë për armë atomike, duke shoqëruar edhe fotografi të centrifugave, me ofrimin e një pasqyre të rrallë brenda impianteve të programit atomik të Koresë komuniste. Sipas rezolutave të Kombeve të Bashkuara, Koreja Veriore e ka të ndaluar prodhimin e materialeve që mund të përdoren për zhvillimin e programit atomik ushtarak.

Në fotografi është parë Kim duke ecur përgjatë radhëve të centrifugave metalike, makinerisë që pasuron uraniumin. Raporti nuk e ka bërë të qartë kur është zhvilluar vizita e as lokacionin e uzinës.

Kimi i ka inkurajuar punëtorët që të prodhojnë sa më shumë materiale për armë atomike taktike, duke theksuar se arsenalit bërthamor i vendit është jetik për konfrontimin e kërcënimeve nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre.

Kimi ka thënë se armët janë të nevojshme “për vetëmbrojtje” për kapacitetet të neutralizimit të sulmeve të paparalajmëruara.

Koreja Jugore ka dënuar veprimet e fundit të Veriut dhe ka thënë se Seuli kurrë nuk do të pranojë posedimin e armëve atomike të Fenianit, ka njoftuar Ministria e Bashkimit e Koresë demokratike.

Koreja Veriore besohet se ka disa uzina të pasurimit të uraniumit për qëllime ushtarake.

Agjencia e Energjisë Atomike e OKB-së ka thënë në fillim të javës se ka vërejtur pasurim të materialeve atomike në njërën prej uzinave të Koresë Veriore.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com