Flamuri i Koresë së Veriut
Koreja Veriore në dhjetor rihap dyert për turistët
Koreja Veriore do të rihapë një qytet për turistët e huaj në dhjetor pas pesë vjetësh të mbylljes së kufijve për shkak të pandemisë COVID-19.
Së paku dy operatorë turistikë nga Kina kanë bërë të ditur se turistët do të lejohen së shpejti të vizitojnë malet në veri të qytetit Samjiyon, raporton BBC.
Koreja komuniste kishte mbyllur të gjitha hyrjet pas fillimit të pandemisë në fillim të vitit 2020. Vetëm kah mesi i vitit të kaluar ka nisur t’i heqë kufizimet. Mbyllja e kufijve kishte ndalur edhe importet e mallrave themelore, duke shkaktuar shkurtime ushqimesh, që ishin përshkallëzuar edhe prej sanksioneve ndërkombëtare sherri i programit bërthamor të vendit aziatik.
“Deri tani, Samjiyoni është konfirmuar zyrtarisht, por ne mendojmë se Feniani dhe vendet e tjera do të hapen së shpejti!!!” – ka shkruar KTTG Tours nga Shangai në një njoftim në paqen e tij zyrtare në Facebook.
Koryo Tour nga Pekini ka njoftuar poashtu se turistët mund të vizitojnë “potencialisht” vende tjera të Koresë Veriore prej dhjetorit.
“Kemi pritur katër vjet për ta dhënë këtë lajm, Koryo Tours është e mahnitur për hapjen e turizmit në Korenë Veriore përsëri”, është thënë në uebfaqen e kësaj agjencie turistike.
Samjiyoni shtrihet në këmbët e malit më të lartë të Koresë Veriore, Paektu, që ndodhet përgjatë kufirit Kinë-Kore Veriore. Është vend i njohur për atraksione dimërore.
Propaganda e Fenianit thotë se mali është vendi ku themeluesi i Koresë Veriore, Kim Il Sung kishte luftuar forcat pushtuese japoneze dhe se aty e kishte nisur revolucionin. Ai ishte gjyshi i presidentit aktual, Kim Jong Un.
Pretendohet gjithashtu se Paektu është vendi ku babai i liderit aktual, Kim Jong Il, u lind. Samjiyoni po kalonte viteve të fundit nëpër një plan rizhvillimi. Kimi kishte premtuar rindërtimin e aeroportit, kthimin e një baze ushtarake skijatorësh në rezort dhe ndërtimin e hekurudhave dhe hoteleve për turistët e huaj, raportojnë mediat shtetërore.
Kimi ka thënë se planet për “rivitalizimin e turizmit ndërkombëtare do të synonin vizitorët nga “shtetet mike”.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com