Koreja Jugore e arreston Presidentin e saj për kryengritje

Yoon Suk Yeol i Koresë Jugore është bërë Presidenti i parë në detyrë që arrestohet, duke i dhënë fund një përplasjeje njëjavëshe ndërmjet prokurorëve dhe sigurimit të tij personal – raporton të mërkurën në mëngjes, më 15.01.2025, transmetuesi britanik BBC.

Yooni, përpjekja e dështuar e të cilit për të shpallur gjendje të jashtëzakonshme e zhyti vendin në trazira dhe rezultoi me shkarkimin e tij në Parlament, po hetohet me akuzën për kryengritje.

Megjithatë ai teknikisht është ende President, derisa Gjykata Kushtetuese të përcaktojë nëse shkarkimi ishte i vlefshëm.

Hetuesit kanë përdorur shkallë dhe gërshërë për prerjen e telave gjemborë, në një mëngjes të acartë dimri, për ta arrestuar Yoonin, me Shërbimin Presidencial të Sigurisë (PSS), që kishte ngritur barrikada në përpjekje për ta pamundësuar arrestimin.

64-vjeçari ka thënë se është pajtuar që të shkojë në Zyrën për Hetimin e Korrupsionin (CIO), për zyrtarët e lartë, për të shmangur gjakderdhjen. Në një xhirim prej tre minutash, Yooni ka thënë se do të bashkëpunojë me zyrtarët, megjithëse është kundër hetimit.

Ai vazhdimisht ka pretenduar se fletarrestimi nuk është i ligjshëm. Yoon ka thënë se e ka parë me sytë e tij sesi autoritetet “pushtuan” perimetrin e sigurisë së shtëpisë së tij me ekipe zjarrfikësish.

“Kam ndarë mendjen të dalë para CIO-s, megjithëse është një hetim ilegal, me qëllim që të parandalojë çfarëdo gjakderdhjeje të pandalshme.” – ka thënë ai.

Më shumë se njëmijë policë dhe zyrtarë janë angazhuar në operacionin e hershëm të së mërkurës. Ishte përpjekja e dytë për arrestimin e tij.

CIO, që po e heton Yoonin, më parë ishte munduar ta arrestonte atë më 3 janar.

Zyrtarët kishin marrë fletarrestimin, pasi ai i kishte urdhëruar disa kërkesa zyrtare për t’u lajmëruar në Prokurori.

Partia e Pushtetit Popullor e Yoonit e ka quajtur “ilegal” arrestimin. Lideri i saj, Kveon Seong-dong i ka përshkruar ngjarjet si aso “për të ardhur keq”.

Në anën tjetër, lideri i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike në opozitë, Park Chan-dae ka thënë se arrestimi i Yoonit ka treguar se “drejtësia në Korenë Jugore është gjallë”.

 

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com