Foto: KALLXO.com

Koreja e Veriut për herë të parë emëron një grua si Ministre e Punëve të Jashtme

Koreja e Veriut ka emëruar për herë të parë një grua në pozitën e Ministres së Punëve të Jashtme, njoftoi media shtetërore të shtunën, raporton CNN.

Diplomatja, Choe Son Hui u emërua në një takim plenar të Komitetit Qendror të Partisë së Punëtorëve të Koresë në datat 8 deri më 10 qershor.

Sipas gazetës shtetërore KCNA, ky takim thuhet se ka qenë i mbikëqyrur nga udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un.

Emërimi i saj vjen në një kohë tensionesh në Gadishullin Korean pasi Koreja e Veriut rriti në mënyrë agresive programin e saj të testimit të armëve në kundërshtim me sanksionet e Kombeve të Bashkuara.

Të martën, Përfaqësuesi Special i SHBA për Politikën e Koresë së Veriut, Sung Kim paralajmëroi se Uashingtoni beson se Koreja e Veriut po përgatitet të kryejë një test të shtatë bërthamor, i cili do të ishte i pari që nga viti 2017.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike tha gjithashtu të martën se Koreja e Veriut “po përgatit vendin e saj të testimit bërthamor”, duke paralajmëruar se situata rreth programit bërthamor të Phenianit “është mjaft shqetësuese sepse ne kemi parë një përparim të shpejtë në çdo linjë”, bazuar në aktivitetin në Vendi Punggye-ri.

Kush është ministrja e re, Choe Son Hui?

Choe Son Hui është lindur në vitin 1964 në Pyongyang. Sipas të dhënave të Ministrisë së Unifikimit të Koresë së Jugut, ajo është vajza e ish-kryeministrit të Koresë së Veriut, Choe Yong Rim.

Son Hui u shfaq për herë të parë në media në vitin 1997 si përkthyese për delegatët e Koresë së Veriut në negociatat bërthamore katërpalëshe me fqinjët e saj. Ajo iu bashkua sërish negociatave gjatë bisedimeve gjashtëpalëshe në vitet 2000

Choe Son Hui luajti një rol kyç gjatë samiteve të Koresë së Veriut me SHBA-në, duke udhëhequr një përpjekje agresive negociuese që synonte udhëheqjen amerikane të ish-presidentit Donald Trump.

Deklaratat e saj të publikuara në mediat shtetërore të Koresë së Veriut alternonin mes kërcënimeve për një “përballje bërthamore” ndaj ofertave për dialog.

Ajo shoqëroi liderin e Koresë së Veriut Kim për samitet në Singapor në 2018 dhe Hanoi një vit më vonë, duke u ulur përkrah tij në tryezën e negociatave.

Në deklaratën e saj të fundit në mars të vitit të kaluar, ajo kërkoi që SHBA të ndërpresë “politikën e saj armiqësore” kundër Koresë së Veriut, duke përfshirë stërvitjet e saj të përbashkëta me Korenë e Jugut.