Ilustrim: Screenshot/CNN

Koreja e Veriut lëshon raketën më të gjatë që nga viti 2017

Koreja e Veriut sot ka bërë edhe një lëshim të një rakete balistike, duke shkuar në testin e shtatë këtë muaj me lëshimin e raketave.

Siç raporton media ndërkombëtare BBC, Koreja e Veriut ka kryer atë që mendohet të jetë lëshimi i raketave më të mëdha që nga viti 2017.

Koreja e Jugut raportoi se lëshimi u zhvillua në orën 07:52 me orën lokale të së dielës (22:52 GMT) në brigjet lindore të Koresë së Veriut.

Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Koresë së Jugut, tha se testi i së dielës ishte një raketë balistike me rreze të mesme veprimi (IRBM), e cila do të ishte raketa më e madhe e testuar që nga nëntori 2017.

Zyrtarët japonezë dhe koreano-jugorë, vlerësuan se raketa arriti një lartësi prej 2000 km (1240 milje) dhe fluturoi për 30 minuta në një distancë prej 800 km (500 milje) dhe zbarkoi në Detin e Japonisë.

Japonia, Koreja e Jugut dhe SHBA-ja e kanë dënuar lëshimin, testin e shtatë këtë muaj.

OKB-ja e ndalon Korenë e Veriut nga testet e armëve balistike dhe bërthamore dhe ka vendosur sanksione të rrepta. Por, shteti i Azisë Lindore, kundërshton rregullisht ndalimin dhe udhëheqësi, Kim Jong-un është zotuar të forcojë mbrojtjen e vendit të tij.

Shtetet e Bashkuara i bënë thirrje Koresë së Veriut që të “përmbahet nga aktet e mëtejshme destabilizuese”

Janari ishte tashmë një nga muajt më të ngarkuar të regjistruar për programin e raketave të Koresë së Veriut, me disa raketa me rreze të shkurtër të lëshuar në det.

Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in, tha se stuhia e fundit e testeve të kujtonte tensionet e rritura në vitin 2017, kur Koreja e Veriut kreu disa teste bërthamore dhe lëshoi raketat e saj më të mëdha, duke përfshirë disa që fluturuan mbi Japoni.

Sipas agjencisë së lajmeve të Koresë së Jugut Yonhap, raketa duket të jetë e ngjashme me raketën Hwasong-12 që Veriu testoi në 2017./BBC