Koreja e Veriut kërkon ilaçe jashtë vendit për liderin Kim Jong Un
Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka shtuar përsëri peshë dhe duket të ketë probleme shëndetësore të lidhura me obezitetin, si shtypja e gjakut dhe diabeti, dhe zyrtarët e tij po kërkojnë ilaçe jashtë vendit për ta trajtuar, i ka njoftuar deputetët agjencia e spiunazhit e Koresë së Jugut, raporton “Politico”.
Kim 40-vjeçar, i njohur për konsumin e alkoolit dhe duhanit, vjen nga një familje me histori të problemeve me zemër. Edhe babai, edhe gjyshi, të cilën e sunduan Korenë komuniste deri në ardhjen e tij në pushtet në vitin 2011, vdiqën prej sëmundjeve të zemrës.
Disa monitorues thonë se Kim, i cili është rreth 170 centimetra i gjatë dhe më parë i kishte 140 kilogramë, duket se ka humbur shumë peshë në vitin 2021, mbase prej ndryshimit të dietës së tij. Por pamjet e fundit të mediave tregojnë se ai përsëri ka shtuar theksueshëm peshë.
Të hënën (29.07.2024), Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës, agjencia kryesore jugkoreane e spiunazhit, ka njoftuar deputetët në një seancë me dyer të mbyllura, se duket se Kim përsëri peshon 140 kilogramë dhe se ka rrezik të lartë nga sëmundjet e zemrës, ka bërë të ditur Lee Seong, njëri prej deputetëve të Koresë së Jugut.
Lee ka thënë se agjencia u tha ligjvënësve se Kim ka treguar simptoma të shtypjes së gjakut dhe diabetit prej fillimit të tridhjetave të tij. Një tjetër deputet, Park Sunvon, ka thënë se inteligjenca beson se obeziteti i Kimit lidhet me alkoolin, duhanin dhe stresin e tij.
Lee dhe Park kanë cituar NIS-in të ketë thënë se inteligjenca ka siguruar informacione se zyrtarët e Koresë së Veriut janë munduar të siguronin ilaçe të reja për shtypjen e lartë të gjakut dhe diabetin e Kimit, shkruan “Politico”.
Koreja e Veriut është një prej vendeve më diskrete në botë, dhe faktikisht nuk ka asnjë mundësi që të huajt të marrin informacione të sakta për shëndetin e Kimit. NIS-i i Koresë së Jugut njihet për një mori rastesh të sigurimit të informacioneve për zhvillimet sekrete në Korenë e izoluar komuniste.
Shëndeti i Kimit nxit vëmendje edhe jashtë Koresë së Veriut meqë ende nuk e ka caktuar pasuesin e pushtetit të vendit që po avancon në arsenalin e tij bërthamor me synim shënjestrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
NIS-i i ka njoftuar të hënën (29.07.2024) edhe për vlerësimet e veta për të bijën e Kimit, që thuhet se e ka emrin Kim Ju Ae, duke lënë të kuptohet se ajo mund ta marrë stafetën e pushtetit nga babai në rast të vdekjes së hershme. Por NIS-i nuk e ka përjashtuar mundësinë se do të zëvendësohet nga fëmijët e tjerë për shkak se babai ende nuk e ka caktuar zyrtarisht si pasuese të pushtetit.
Spekulimet për Kim Ju Aen, e cila është 10 ose 11 vjeçe, morën hov kur ajo e shoqëroi babanë në aktivitete të profilit të lartë në fund të vitit 2022. Mediat e Koresë së Veriut e portretizuan atë si fëmijën “më të dashur” dhe “më të respektuar” të Kim Jong Unit, duke ngjallur debatin për lidhjen e tij me të në jetën politike.
NIS-i u ka thënë deputetëve se gjatë së paku 60 për qind të aktiviteteve e ngjarjeve ushtarake, Kim Jua Ae e ka shoqëruar babanë./Politico
Përgatiti: Rexhep Maloku – KALLXO.com