Flamuri i Koresë së Jugut Foto: Pixabay

Koreja e Jugut shpall gjendje të jashtëzakonshme ushtarake

Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol ka shpallur të martën gjendje të jashtëzakonshme ushtarake, ka raportuar transmetuesi britanik, BBC.

Në një fjalim të paparalajmëruar në orët e vonshme të së martës, ai i është adresuar kombit, duke theksuar ase vendimi ishte i domosdoshëm për ta mbrojtur vendin nga forcat komuniste të Koresë Veriore dhe për të çrrënjosur elementet anti-shtetërore.

BBC shkruan se vendimi është marrë pasi Partia e Pushtetit Popullor e Yoonit dhe Partia Demokratike, më e madhja në opozitë, kanë mospajtime të mëdha për ligjin për buxhetin e vitit të ardhshëm.

Me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme nënkuptohet sundimi prej autoriteteve ushtarake në kohë të jashtëzakonshme dhe se mund të suspendohen të gjitha të drejtat civile normale në vend.

Edhe pushteti, edhe opozita janë zotuar se do ta bllokojnë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, raporton agjencia e lajmeve, Yonhap.

Partia Demokratike në opozitë u ka bërë thirrje deputetëve të saj që të mblidhen para ndërtesës së parlamentit kombëtar. Lideri i saj, Lee Jae-myung, ka bërë thirrje publike që të gjithë të dalin para organit më të lartë parlamentar.

Edhe lideri i Partisë së Pushtetit Popullor, Han Dong-hoon, ka thënë se shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme është lëvizje “e gabuar” dhe është zotuar se do ta bllokojë zbatimin e saj.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com