Qentë endacakë (Ilustrim)

Korçë, autoritetet bëjnë një sy qorr ndaj helmimit masiv të qenve të rrugës

Në mesin e janarit, brenda një nate, aktivistë dhe qytetarë dokumentuan me foto dhe video helmimin e 10 qenve endacakë në rrugë të ndryshme të Korçës. Pamjet e kafshëve në agoni u publikuan në rrjete sociale, bashkë me thirrjet për të ndaluar vrasjen e tyre.

Por pa kaluar një muaj, pamje të ngjashme të kafshëve në agoni u regjistruan nga qytetarët në rrugët e Lezhës. Njësoj si në Korçë, qentë u gjendën në rrugë shpesh duke dhënë shpirt dhe në gjendje të rëndë.

Aktivistët mendojnë se qindra kafshë janë vrarë në këtë mënyrë duke filluar prej dhjetorit deri në mes të shkurtit, kur kufomat e tyre mbushën rrugët dhe në mjaft raste, qytetarët dëshmuan agoninë e kafshëve para se të ngordhnin.

“Para disa ditësh pata një telefonatë nga një qytetar i qytetit të Lezhës, shumë i shqetësuar, më thotë se kishte parë qen të ngordhur nëpër rrugë. Gjithashtu, pranë tij ishte një tjetër duke ngordhur,” thotë veterineri Gjovalin Kaceli.  Kaceli thotë se nga ajo që i kishte treguar qytetari kishte kuptuar se bëhej fjalë për helmim dhe e kishte këshilluar t’i bënte lavazh stomaku qenit.

“Për fat të mirë shpëtoi, duke qenë se doza e helmimit në këtë rast ishte shumë e vogël,” thotë ai.

Për Kacelin dhe dhjetra aktivistë të mbrojtjes së kafshëve, ngjarje të tilla janë shumë të rënda dhe autorët e tyre duhet të dënohen. “Vrasja e qenve endacakë është një akt kriminal”, thotë Kaceli.

Aktivistë të mbrojtjes së kafshëve dhe specialistë të veterinarisë i thanë BIRN se ngjarje të tilla, përveç mizorisë, ishin rrezik për shëndetin publik. Drejtori Ekzekutiv i Animal Rescue Albania, ARA, Indrit Osmani, thotë se fakti që ngjarjet ishin masive i bënte ata të dyshonin se pas tyre ishin vetë autoritetet lokale.

Por pavarësisht alarmit të ngritur nga specialistët, nuk dihet se kush qëndron pas vrasjes së qenve endacakë dhe duket se autoritetet nuk kanë ndonjë interes që ta mësojnë.

Zëdhënësja e policisë së Lezhës, Jetmira Mandreca pranoi për BIRN se çështja nuk ishte në hetim prej tyre. Bashkia e Korçës në një përgjigje zyrtare tha se ata nuk kishin bërë kallëzim, pavarësisht denoncimeve nga publiku.

Bashkitë nën akuzë

Aktivistët e mbrojtjes së të drejtave të kafshëve dyshojnë se pas helmimeve të tilla masive janë vetë bashkitë dhe autoritetet lokale.

Drejtori Ekzekutiv i Animal Rescue Albania, ARA, Indrit Osmani, i tha BIRN se fakti që ngjarje të tilla ndodhin në zona të ndryshme të qyteteve në të njëjtën kohë, të linin përshtypjen se ishin të organizuara.

“Ne dyshojmë që janë autoritetet lokale pas këtyre ngjarjeve, pavarësisht se ato e mohojnë. Të tilla ngjarje duken të organizuara. Ato ndodhin zakonisht në verë apo në fundvit dhe ndodhin njëkohësisht në lagje të ndryshme dhe në të njëjtën ditë. Pra nuk bëhet fjalë për raste të izoluara para një shtëpie apo në një lagje, por në zona të ndryshme dhe njëkohësisht,” thotë Osmani.

Ai shton se shenjë tjetër është që kafshët e helmuara në pjesën më të madhe largohen nga rrugët gjatë natës dhe se aktivistët i kanë zbuluar helmimet vetëm pasi kishte raste kur ushqimi me helm nuk ishte konsumuar natën dhe helmimi kishte ndodhur në sy të qytetarëve.

Dyshime për të ngre edhe fakti që ngjarjet përsëriten identike në qytete të ndryshme. Veç Lezhës dhe Korçës, Osmani thotë se aktivistët kanë parë ndodhi të tilla në Burrel, Rrogozhinë, Kavajë, Golem, Durrës apo Dibër.

Të njëjtën gjë thotë dhe K.D. një aktiviste nga Korça, që kërkoi t’i ruhej anonimati. Ajo thotë se është e pamundur që një apo disa persona të helmojnë masivisht kafshët në të njëjtën kohë në lagje të ndryshme. “Është diçka që ndodh sistematikisht dhe është e pafalshme,” tha aktivistja.

Qoftë Bashkia e Korçës, qoftë ajo e Lezhës mohuan të kishin lidhje me helmimin masiv dhe thanë se e dënonin aktin. Bashkia e Korçës këmbënguli në përgjigje të një kërkese për informacion se kishte marrë masa për sterilizimin e 175 qenve në dy vitet e fundit dhe se “në bashkëpunim dhe me fushatat e ruajtjes dhe kujdesit të kafshëve shtëpiake dhe endacake, po mendohet dhe diskutohet krijimi i një menaxhimi më të mirë”.

Bashkia e Lezhës nga ana e saj i tha BIRN se dyshonte që një pjesë e mirë e qenve në rrugët e saj ishin hedhur nga zona të tjera.

“Qentë endacakë janë kthyer në shqetësim të madh në Lezhë. Kemi dyshime që po i sjellin gjatë natës dhe nga zona të tjera dhe i hedhin këtu tek ne,” tha Ermal Pacaj, nënkryetar i Bashkisë së Lezhës. Ai tha se bashkia kishte në fazë të tenderimit një fond për kujdesin ndaj kafshëve, por mohoi që ata kishin gisht në helmimin masiv.

Aktivistja nga Korça u ankua se ngjarjet nuk hetoheshin nga policia, pavarësisht numrit të ankesave që ajo merrte. “Policia ka marrë telefonata dhe mesazhe nga shumë persona duke kërkuar që të merren masa. Nuk është e vështirë të gjendet sepse jetojmë në një qytet ku kamerat e sigurisë janë nga të gjitha anët. Nuk duan ta gjejnë, jo se nuk është e mundur”, thotë ajo.

Për aktivistin Indrit Osmani mungesa e vullnetit për të hetuar është një tjetër shenjë se vetë autoritetet janë të përfshira. “Bashkitë mjaftohen me një deklaratë mohuese kur ne denoncojmë, por përse nuk kërkojnë të hetohet dhe të zbardhet se çfarë ka ndodhur?!”, thotë ai.

Osmani thotë se helmimi është një nga mënyrat më mizore për vrasjen e kafshëve të rrugës. Ai thotë se agonia zgjat mbi 20 minuta dhe kafshët vuajnë shumë.

Rreziku për shëndetin publik

Por agonia e kafshëve që ngordhin në rrugë pas helmimit nuk është i vetmi problem sipas specialistëve.

Dedë Rama, përgjegjes i Autoritetit të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve në Lezhë, thotë se përpos mizorisë ndaj kafshëve të helmuara, helmimi masiv përbën një shqetësim për shëndetin publik. “Përbën një rrezik shumë të madh,” thotë ai duke iu referuar situatës.

Rama thotë se pas ngjarjes në Lezhë, autoriteti i kërkoi bashkisë që të merrte masa të menjëhershme për largimin e tyre. Por pamjet filmike e fotot nga qytetarët tregojnë për kafshë të ngordhura në pellgje uji dhe buzë përrejve.

Edhe veterineri Gjovalin Kaceli  paralajmëron se ngjarje të tilla mund të përbëjnë shkak për përhapje të infeksioneve dhe se ato nuk kufizohen vetëm te qentë endacakë.

Sipas veterinerit, dhjetra kafshë shtëpiake që i kishin shpëtuar mbikëqyrjes së pronarëve apo që ishin lënë të lira në rrugë kishin pasur të njëjtin fat.  “Në klinikën ku unë punoj më erdhën disa raste disa ku disa pronarë kafshësh kishin  konstatuar tek qentë e tyre shenja helmimi. Ndër raportimet e tyre më thanë se disa ditë më parë kishin dalë nga shtëpia dhe ishin kthyer të helmuar. Disa prej tyre  ngordhën,” thotë Kaceli.

Nesti, një i ri nga Korça, thotë se qeni i tij u helmua ndërsa ai kishte dalë në shëtitje me të. “Vura re që nuk ishte mirë. E çova tek veterineri dhe ai më tha që bëhej fjalë për helmim. Ende i kam në vesh të qarat dhe vuajtjen e tij. Kjo është vrasje dhe duhen gjetur përgjegjësit,’ thotë Nesti.

Veterineri Gjovalin Kaceli i tha BIRN se shenjat klinike të rasteve që ai kishte trajtuar në klinikën e tij dhe rrugë tregonin për helmim nga preparate që përdoren në bujqësi. “Në klinikën ku unë punoj kam pasur disa raste ku i kam trajtuar dhe sipas shenjave klinike që kanë pasur bëhet fjalë për preparate të përdorura në bujqësi (preparate bujqësore) shumë të rrezikshëm për këto veprime,” thotë ai.

Aktivisti Indrit Osmani thotë se tregtimi i lirë dhe i pakontrolluar i këtyre helmeve është një problem më vete. Sipas tij fakti që gjithkush mund të blejë helme kaq të forta pa ndonjë problem, tregon se i gjithë zinxhir i kontrollit nuk funksionon.

Osmani thotë se hedhja e ushqimit të helmuar në rrugë e qyteteve në mes të ditës mund të vërë në rrezik veç kafshëve edhe njerëzit.

“Unë kam parë njerëz, endacakë, që ushqehen nga ato që gjejnë në koshat e mbeturinave. Pa dashje ushqimi i helmuar mund të çojë në vrasje,” thotë ai, duke apeluar që metoda të tilla të ndalonin dhe që autoritetet të mos mbyllnin sytë ndaj ngjarjeve të kësaj natyre. reporter.al