Foto: Ilustrim

Korçë, 2 të arrestuar për transport të shtetasve të huaj

Policia e Shtetit ka njoftuar se ka arrestuar dy persona për të cilët thuhet se po transportonin shtetas nga vendet e treta, kundrejt fitimit, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufijve.

Sipas Policisë, të arrestuarit kanë qenë të dënuar edhe më parë.

I dyshuari i parë K. Z., 21 vjeçar, nga Tirana, ishte i dënuar më parë për -drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt, ndërsa R. D., 37 vjeçar, po ashtu nga Tirana, ishte i dënuar më parë në Maqedoni për veprën penale – trafikimi i narkotikëve.

“Arrestimi i tyre u bë pasi janë kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në aksin rrugor Korçë-Bilisht, në vendin e quajtur “Ura e Trenit”, me një mjet fuoristradë tip “BMW”, me drejtues shtetasin R. D., duke transportuar 2 shtetas të huaj ( emigrantë të paligjshëm), të cilëve kundrejt fitimit prej 150 euro secilit, iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Materialet për këtë rast sipas policisë i kanë kaluar  Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprën penale – ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, e kryer në bashkëpunim.