Korab Sejdiu për emërimet në AKI: Qeveria po i bën kapjet e fundit (VIDEO)

 

Ish deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Korab Sejdiu, në një intervistë për Drejtësia në Kosovë ka komentuar vendimin e kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj për të emëruar shefin e AKI-së dhe kryeinspektorit.

Të dy këta në të kaluarën kanë qenë të lidhur me parti politike, thotë Sejdiu.

Sipas Sejdiut, qeveria në detyrë po i bënë kapjet e fundit të shtetit.

“Tani pas perëndimit të mandatit të tyre, ata po mundohen që t’i bëjnë ato kapjet e fundit të shtetit, kjo evidentua me emërimet e fundit, klandestin, të personave që janë të lidhur me politikën në një institucion që duhet të jetë tërësisht apolitik e profesional”, ka thënë Sejdiu në intervistën dhënë për emisionin Drejtësia në Kosovë.

“Ky është një veprim i fundit për të siguruar sa më gjatë një mandat për personat që i përgjigjet atyre politikisht e jo në nivel institucional”, ka shtuar Sejdiu.

Sejdiu, që ishte pjesë e legjislaturës deri në gusht të këtij vitit, thotë se Qeveria e drejtuar nga Haradinaj nuk e ka pasur problem ligjshmërinë e procesve, pro vetëm intereset personale e partiake.

“Përvoja jonë që e kemi pasur në 2-3 vitet e fundit me Qeverinë, na tregon se çështja e ligjshmërisë nuk ka qenë fort shqetësim për ta duke i pasë parasysh të gjitha gjërat që kanë ndodhur. Qëllimi i tyre kurrë s’ka qenë që të veprohet brenda kornizave ligjore, por thjeshtë që t’i përmbushin interesat e tyre personale, partiake apo militante”, ka thënë ish deputeti Korab Sejdiu.

Në fillim të kësaj jave Kryministri në detyrë, Ramush Haradinaj njoftoi se ka emëruar Kreshnik Gashin drejtor të AKI-së dhe Burim Ramadanin kryeinspektor.

Kreshnik Gashi mbante postin e drejtorit në ARKEP, ndërsa Burim Ramadani deri para emërimi ka qenë pjesë e partisë së Haradinajt, madje në zgjedhjet e 6 tetorit, ishte kandidat për deputet por që nuk mori votat e mjaftueshme.