Foto: CNN

Kopja e Titanikut po ndërtohet me 23 ton çelik në Kinë

Për ata që gjithmonë kanë menduar se si do të kishte qenë të ishe pasagjer në anijen Titanik, një park në Kinë ka vendosur të ofrojë një përvojë të ngjashme.

Një kopje e anijes së fundosur tani është në ndërtim e sipër në Daying County në provincën Sichuan të Kinës, raporton CNN.

E quajtur “Titaniku i pafundosur”, anija është saktësisht e njëjtë me atë origjinale – 269,06 metra e gjatë dhe 28,19 metra e gjerë.

Anija e vendosur në parkun e quajtur “Romandisea” do të ketë të njëjtat komoditete, duke përfshirë sallat e banketeve, teatrot, kuvertat e vëzhgimit dhe një pishinë.

Mysafirët do të mund të paguajnë për të kaluar natën në bordin e anijes, e cila do të vendoset përgjithmonë në një rezervuar në lumin Qijiang, rreth 130 kilometra nga kryeqyteti i provincës Chengdu.

Data e hapjes nuk është caktuar ende.

Sipas AFP, janë përdorur 23,000 ton çelik që kushtojnë 153.5 milionë dollarë për të ndërtuar kopjen e anijes Titanik.

Titaniku origjinal u nis në udhëtimin e tij të parë nga Southampton, Angli, për në New York më 10 prill 1912.

Në atë kohë, ajo ishte anija më e madhe e pasagjerëve në det.

Më 14 prill, rreth mesnatës, ajo goditi një ajsberg dhe u fundos në më pak se tre orë. Sipas raportit të Senatit Amerikan mbi katastrofën e Titanikut, 1,517 njerëz vdiqën dhe 706 mbijetuan nga 2,223 pasagjerë dhe ekuipazhi.