Koordinatorja Nacionale për Zgjedhje dhe përfaqësues të Avokatit Popullit diskutojnë për mbarëvajtjen e Zgjedhjeve

Përfaqësues të institucionit të Avokatit të Popullit, kryesuar nga zëvendësja e Avokatit të Popullit, Majlindë Sinani Lulaj, kanë zhvilluar një takim në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, ku u pritën nga koordinatorja nacionale për Zgjedhje, prokurorja nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, Laura Pula.

Sipas një komunikate për media, gjatë këtij takimi u diskutua për rrjedhën e procesit zgjedhor për Zgjedhjet e rregullta për Kuvendin e Kosovës, që do të mbahen më 09.02.2025. Me theks të veçantë u diskutua për Planin Operativ të Prokurorit të Shtetit në ditën e Zgjedhjeve.

“Koordinatorja Nacionale për Zgjedhje, znj. Pula informoi të pranishmit për angazhimin e Prokurorit të Shtetit lidhur me mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës për Zgjedhjet e rregullta për Kuvendin e Republikës së Kosovës, që do të mbahen më 9 shkurt 2025.” – thuhet në komunikatë.

Po ashtu gjatë këtij takimi në njoftim bëhet e ditur se u diskutua për koordinimin në mes të Prokurorive dhe Koordinatores Nacionale, lidhur me të gjitha aktivitetet e Prokurorit të Shtetit që do të ndërmerren në rast se do të ketë cenim të procesit zgjedhor, si dhe duke përfshirë edhe bashkëpunimin ndërinstitucional në kuadër të Memorandumit të Bashkëpunimit për procesin zgjedhor.

Ndërkaq, Sinani Lulaj informoi prokuroren Pula për angazhimin e monitoruesve nga institucioni i Avokatit të Popullit, për rrjedhën e procesit zgjedhor, për rolin e tyre dhe shpërndarjen e tyre në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin e Kosovës mbahen më 09.02.2025. Fushata ka filluar zyrtarisht më 11.01.2025.

Për këto Zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

Këto do të jenë Zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban, që nga shpallja e pavarësisë më 17.02.2008.