Konventa e Stambollit përfshihet në Kushtetutën e Kosovës
Deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan të premten, me shumicë votash, një amandament në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në bazë të të cilit Konventa e Stambollit do të përfshihet në Kushtetutë.
Kjo konventë njihet në botë si instrument ligjor për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe të dhunës familjare, si dhe për mbrojtjen e viktimave.
Ndjekja penale e dhunuesve cilësohet si bazament i konventës.
“Është detyrim i shtetit që ta adresojë plotësisht dhunën në të gjitha format e saj dhe të marrë masa për të parandaluar dhunën ndaj grave, për t’i mbrojtur viktimat dhe për t’i ndjekur penalisht autorët e krimit”, thuhet në konventë.
Dokumenti e përshkruan dhunën ndaj grave si “shkelje të të drejtave të njeriut” dhe si “formë diskriminimi”.
Konventa e hartuar nga Këshilli i Evropës është hapur për nënshkrim në vitin 2011, në Stamboll të Turqisë.
Turqia ka qenë vendi i parë që e ka ratifikuar.
Deri më tani, kjo konventë është nënshkruar nga të gjitha shtetet anëtare të Këshillit të Evropës./REL