Kontrollimi i fakteve: Sanksionet e Kosovës ndaj Rusisë – serioze apo simbolike?

Tregtia ndërmjet Kosovës dhe Rusisë pothuajse është inekzistent, kështu që kur Kosova iu bashkua sanksioneve perëndimore kundër Rusisë për luftën e saj në Ukrainë, rëndësia ishte vetëm simbolike.

Vitin e kaluar Kosova ka eksportuar në Rusi mallra në vlerë prej 34,736 euro; vlera e importeve nga Rusia ishte pak më pak se 51 milionë euro ose më pak se një për qind e importeve totale të Kosovës.

Pra, në fillim të korrikut, kur Qeveria e Kosovës miratoi një sërë sanksionesh kundër Rusisë dhe aleatit të saj, Bjellorusisë, pakkush kishte frikë për fatin e bizneseve të tyre.

Përmes sanksioneve u vendosën ndalime për tregtinë e hekurit, çelikut, mallrave luksoze, eksportin e mallrave dhe teknologjisë me përdorim të dyfishtë, investimet në sektorin energjetik rus, pajisjet dhe shërbimet e IT për industrinë e energjisë në Rusi [me përjashtim të energjisë bërthamore], të gjitha transaksionet me ndërmarrjet shtetërore dhe shërbimet e vlerësimit të kredisë për klientët rusë.

“Ne gjithashtu do të vendosim masa që do t’i ndalojnë të gjitha transaksionet me disa kompani shtetërore, të cilat gjithashtu janë përballur me kufizime përsa i përket rifinancimit dhe së fundi do t’i ndalojmë të gjitha shërbimet e vlerësimit të kredive” – tha ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gervalla-Schwarz.

Mesazhi kishte të bënte me të solidarizuarit me Ukrainën dhe përafrimi i vendosur me fuqitë perëndimore, të cilat në vitin 1999 për 11 javë kishin kryer sulme ajrore kundër Serbisë.

Perëndimi reagoi shumë shpejt për ta njohur Kosovën kur kjo e fundit e shpalli pavarësinë në vitin 2008. Megjithatë, Rusia ende nuk e pranon Kosovën si një shtet sovran, duke ndërlikuar çfarëdo përpjekjesh që mund të ishin bërë për t’i rritur lidhjet tregtare mes të dyjave.

“Asnjë transaksion, asnjë shërbim”

Ministria e Tregtisë, Ndërmarrësisë dhe Industrisë e Kosovës nuk iu përgjigj pyetjeve në lidhje me arsyetimin që qëndron pas sanksioneve të tilla specifike përkundër nivelit kaq të ulët tregtar.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, importet nga Rusia u rritën në 50.8 milionë euro në vitin 2021 nga 46.5 milionë në vitin 2020. Këtë vit, deri në maj, Kosova ka importuar mallra ruse në vlerë prej 16.9 milionë euro. Eksportet në Rusi janë të papërfillshme – 23,607 euro në vitin 2020, 34,736 euro në vitin 2021 dhe 3,646 në pesë muajt e parë të këtij viti.

Sanksionet u vendosën, ndër të tjera, për transaksionet me kompanitë shtetërore si dhe për shërbimet e vlerësimit të kredisë për rusët. Megjithatë, një zëdhënës i Bankës Qendrore i ka thënë BIRN: “Bazuar në informacionin që disponojmë, nuk është identifikuar asnjë transaksion me kompani shtetërore ruse” dhe “asnjë shërbim i ofruar për rezidentët rusë nuk është identifikuar”.

Të dhënat e Bankës Qendrore treguan gjithashtu se shërbimet e vlerësimit të kredisë për rusët në Kosovë janë ende inekzistente.

Sipas këtyre të dhënave, transaksionet e vetme ndërkombëtare sa i përket investimeve nga Rusia kanë ardhur në vitin 2016, kur në Kosovë janë shpenzuar 150 mijë euro për patundshmëri; në vitin 2013, 351,000 euro janë shpenzuar nga Kosova për patundshëmri në Rusi, dhe 13,000 të tjera në vitin 2016.

Sanksionet duket se do të kenë ndikim vetëm në importet e hekurit dhe çelikut nga Rusia, të cilat arritën në më shumë se 12 milionë euro në vitin 2020, 25 milionë euro në vitin 2021 dhe 9.4 milionë euro në pesë muajt e parë të këtij viti.

Vetëm gjashtë kompani me kapital rus operojnë në Kosovë; agjencia e regjistrimit të bizneseve ka informacion vetëm për tri sosh.

Qeveria nuk ka dhënë ndonjë shpjegim se pse energjia bërthamore u përjashtua nga sanksionet e vendosura ndaj Rusisë nga ana e autoriteteve të Kosovës.

Ky shkrim është publikuar fillimisht në Balkan Insight.