Foto: VOA

Kontrolli në banesën e bashkëjetueses, Ahmetaj kërkon të shpallet i paligjshëm

Në Shqipëri, ish zëvendës kryeministri Arben Ahmetaj i është drejtuar Gjykatës së Posaçme të Apelit kundër Krimit të organizuar dhe Korrupsionit për të deklaruar në shkelje të kushtetutës dhe të paligjshëm vendimin për kontrollin e banesës së bashkëjetueses së tij Erjola Hoxha, e po ashtu për ta konsideruar të paligjshëm mënyrës së si ky kontroll u ushtrua nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) javën e shkuar.

Zoti Ahmetaj nuk rezulton deri më tani të jetë marrë i pandehur, por Prokuroria e posaçme po e heton atë për të paktën 4 vepra penale të dyshuara. Në kuadër të hetimeve për inceneratorin e Elbasanit, Prokuroria e Posaçme rregjistroi një procedim penal më vete, për aktivitetin e disa ministrive, përfshirë veprimtarinë e zotit Ahmetaj në cilësinë e ish Ministrit të Zhvillimit Ekonomik dhe Sipërmarrjes, në kohën kur u dha koncensioni për këtë incenerator.

Më pas në shkurt të këtij viti, gazetari Adriatik Doçi bëri një kallzim duke dorëzuar disa prova që sipas tij implikonin direkt zotin Ahmetaj. Sipas tij, gjatë kontrolleve të Prokurorisë së Posaçme, në kompjuterin e Klodian Zotos, një prej përfituesve të koncensionit të Elbasanit, ishin gjetur konfirmime të pagesave të qëndrimeve në hotele dhe udhëtime në Europë, që ai kishte bërë për llogari të zotit Ahmetaj. Ky i fundit ka hedhur poshtë si spekulime faktet e bëra publike nga gazetari Doçi e po ashtu dhe njohjen e tij me Zoton apo dhe sipërmarrësen tjetër të përfshirë në aferën e inceneratorëve, Stela Gugallja, duke pranuar një njohje me personazhin e tretë të kësaj çështjeje Mirel Mërtiri.

NJë tjetër dyshim për lidhje të zotit Ahmetaj me Zoton lindi lidhur me një vilë që bashkëjetuesja e tij ka blerë vitin e kaluar në zonën e Hamallajt, në bregdetin e Durrësit, e cila mendohet të jetë blerë fillimisht nga Zoto, por që sipas Ahmetajt, është blerë në mënyrë të rregullt nga një person tjetër.

Për të gjitha këto, prokuroria ka rregjistruar një tjetër procedim penal që është bashkuar me atë të mëparshmin. Në total, hetimet ndaj zotit Ahmetaj po zhvillohen për dyshimet për “Shpërdorim detyre” në rastin e inceneratorit, dhe “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”; “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendor”, e “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, nëpërmjet këmbimit ose transferimit të pasurisë, me qëllim fshehjen ose mbulimin e origjinës së paligjshme të saj, duke ditur se kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”.

Ishte pikërisht vila në Durrës, ku hetuesit e BKH-së ushtruan ndër të tjera kontroll, duke marrë disa dokumenta, që lidheshin kryesisht me pronësinë e banesës, e ku gjetën dhe 30 mijë euro në cash.

Por sipas avokatëve Henrik Ligori dhe Ardian Visha, të cilët përfaqësojnë zotin Ahmetaj, vendimi i Gjykatës së shkallës së parë dhe kontrolli i ushtruar, konsiderohen të paligjshëm.

Së pari, sipas avokatëve, “zonja Erjola Hoxha nuk është funksionare e administratës shtetërore dhe nuk ka lidhje me faktet që heton Prokuroria e Posaçme, në kuadër të procedimit penal të bashkuar. Ajo bëhet subjekt kontrolli vetjak dhe të banesës, vetëm për shkakun se është bashkëjetuese e zotit Ahmetaj, subjekt i hetimeve të këtij procedimi. Sipas tyre, për efekt të bashkëjetesës “nuk ka asnjë dyshim se shtëpia e rregjistruar në pronësi të zonjës Erjola Hoxha, është edhe banesë e bashkëjetuesit të saj zotit Arben Ahmetaj, pasi ata konsumojnë aty, në mënyrë të vazhdueshme dhe të qëndrueshme, privatësinë e raportit të mbështetur në lidhjen e bashkëjetesës”. Për pasojë, avokatët janë të mendimit se Gjykata dhe Prokuroria “duke vendosur të kontrollonin banesën e zonjës Hoxha, ato ishin të ndërgjegjshme që po kontrollonin banesën e deputetit Ahmetaj pa mandat kontrolli, në cënim të Kushtetutës dhe të ligjit procedural”, duke qenë se kontrolli në banesën e një deputeti mund të kryhet vetëm me autorizim të parlamentit.

Momenti i dytë i kontestuar si i paligjshëm nga avokatët është se sipas tyre vendimi për kontroll të banesës është kryer “në mungesë të shkaqeve të ligjshme dhe në mungesë të arsyetimit të lidhjes mes provave për kryerjen e faktit penal dhe sendeve që synoheshin të gjendeshin në banesë”.

Elementi i tretë lidhet me atë që avokatët e cilësojnë si “procedura të paligjshme të ekzekutimit të vendimit të gjykatës”. Sipas tyre “gjykata urdhëronte që personit t’i dorëzohej kopja e vendimit të kontrollit dhe të njihej me të drejtën për t’u asistuar nga një person i besuar apo një mbrojtës. Në momentin e kontaktit të parë me të, hetuesit e BKH-së, i vune në dispozicion vendimin e kontrollit personal dhe nuk i benë të ditur të drejtën për të kërkuar praninë e një personi të besuar apo të një mbrojtësi”. Po ashtu fakti që ajo është shoqëruar me automjetin e hetuesve të BKH-së nga Tirana në Hamallaj vlerësohet prej avokatëve si i kryer “në kushtet e privimit të lirisë, pa vendim gjyqësor lejues”. Ndërsa detyrimi I zonjës Hoxha për të dorëzuar telefonin cellular, dhe deklaruar fjalëkalimin dhe PIN-in e kartës SIM konsiderohet “një akt që cënon të drejtën për privatësinë e komunikimeve. Nuk ka patur autorizim të gjykatës për të ndërhyrë dhe marrë dijeni mbi përmbajtjen e komunikimeve private”, theksojnë avokatët./VOA