Fotografi e shkëputur nga transmetimi live nga stacioni i autobusëve në Prishtine, Foto: Gjirafa

Kontrolli dhe evakuimi i qytetarëve pas telefonatës për bombë në Stacionin e Autobusëve (VIDEO)

Dhjetëra qytetarë janë evakuar nga Stacioni i Autobusëve në Prishtinë, pas një informacioni se është vendosur një mjet shpërthyes aty.

Policia edhe kësaj radhe ka pranuar një telefonatë anonime nga një person, i cili ka thënë se ka vendosur një mjet shpërthyes brenda Stacionit të Autobusëve në Prishtinë.

Brenda një periudhe të shkurtë, kjo telefonatë është e dyta ndërsa Policia e Kosovës pas marrjes së informacioneve ka ndërmarrë edhe veprimet e menjëhershme për identifikimin e këtij mjeti shpërthyes.

Në pamjet të cilat shfaqen live nga një kënd i stacionit të autobusëve në Prishtinë, shihen ekipet policore, njësitet speciale policore si dhe zjarrfikësit deri sa shkojnë në vendin e ngjarjes.

Pamjet shfaqin edhe evakuimin e qytetarëve nga ana e zyrtarëve policorë dhe njësinë e qenve K-9 të cilët janë thirrur në vendin e ngjarjes për të identifikuar në bazë të nuhatjes, nëse brenda këtij stacioni ka ndonjë mjet shpërthyes.

Njësia e qenve K-9 në Policinë e Kosovës

Mëngjesin e sotëm, policia ka pranuar një telefonatë tjetër për vendosjen e një mjeti shpërthyes në stacionin e autobusëve në Prishtinë.

Lajmin e ka konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësja e Policisë së rajonit të Prishtinës, Florie Ahmeti- Haziraj.

“Menjëherë policia ka ndërmarrë të gjitha masat e sigurisë në atë zonë. Në një perimetër të caktuar ka evakuuar qytetarët, ndërkohë që  janë angazhuar njësitet përkatëse për trajtimin e informatës”, tha Ahmeti-Haziraj për KALLXO.com.

Sipas të njëjtës, informata është trajtuar nga ana e policisë dhe pas kontrolleve të kryera nga njësitet kompetente, nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.

“Njësitet policore janë tërheq nga ajo zonë, ndërkohë që hetuesit kanë filluar punën për zbardhjen e të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast”, shtoi ajo.

Një informatë të njëjtë Policia e Kosovës e kishte marrë edhe më 23 dhjetor pra disa ditë më parë.

Pas ekzaminimeve policore dhe evakuimit të qytetarëve në atë zonë, policia kishte dalë në përfundim që rasti në polici ishte hapur si lajmërim i rremë.

Pasi u sigurua perimetri, u kryen shikimet në vendin e ngjarjes, në pamje gjithashtu shihet edhe largimi i forcave speciale nga stacioni i autobusëve dhe rikthimi i qytetarëve për të udhëtuar.