Ilustrim

Kontrollet tatimore të Kosovës t`i përfarohen atyre të Shqipërisë

Rrallëherë ka ndodhur që turistët nga Kosova, viteve të fundit të mos marrin kuponin fiskal në momentin e kryerjes së pagesave gjatë qëndrimit në Shqipëri.

Shqipëria njihet si shtet me regjim të fortë tatimor dhe rregulla strikte të kontrolleve duke e forcuar kështu edhe pozitën dhe kompetencat e inspektorëve tatimor në zbatim të ligjit.

Për këtë arsye nuk ndodh shpesh që ndonjë biznes në Shqipëri të mos lëshoj kuponë fiskal për dallim nga sistemi në Kosovë në të cilin dukuria e mos lëshimit të kuponëve fiskal është e shpeshtë.

E këtë situatë në Shqipëri si duket e ka sjellë mundësia e ndërprerjes së përkohshme të punës së biznesit i cili haset duke mos lëshuar kuponë fiskal.

Sipas sistemit tatimor në Shqipëri përpos konstatimit të parregullsive dhe shqiptimit të gjobave, inspektorët tatimor gëzojnë kompetenca të gjera duke mos u kufizuar as në ato të bllokimit të përkohshëm të aktivitetit të biznesit.

E drejta e inspektorëve për mbylljen e përkohshme të biznesit parashihet me formën e kontrollit të njohur si verifikimi në vend.

Verifikimet në vend në Shqipëri janë të shkurtra dhe synojnë zbulimin në kohë të shkeljeve që kanë lidhje me regjistrimin e bizneseve, përdorimin e pajisjeve fiskale, dokumentin e shitjeve dhe lëshim të faturave tatimore.

Këto kontrolle kryhen pa i njoftuar bizneset paraprakisht dhe gjatë kontrollit inspektorët duhet që vetëm të tregojnë urdhërin për verifikim.

Gjatë verifikimit në vend, në rast se biznesi haset duke e përsëritur shkeljen, atij mund t`i pezullohet përkohësisht puna. Deri te bllokimi i punës së biznesit mund të vije në rast se biznesi nuk e ka instaluar pajisjen fiskale pasi më parë është ndëshkuar.

Pra nëse inspektori tatimor gjatë verifikimeve për përdorimin e pajisjeve fiskale, konstaton se biznesi fare nuk ka instaluar pajisjen fiskale, fillimisht do të gjobitet me 50,000 lek, ndërsa në rast se në verifikimin e radhës haset duke mos e instaluar pajisjen fiskale ndaj tij merret masa e bllokimit të veprimtarisë për 15 ditë.

Nëse sërish nuk instalohet pajisja fiskale, shtyhet afati dhe për 15 dite të tjera. Nëse situata vazhdon të mos rregullohet, atëherë të dhënat e këtij biznesi bëhen publike në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe mbahen të publikuara deri në instalim.

Çdo konstatim i mëpasshëm për mos instalimin e pajisjes fiskale konsiderohet evazion fiskal dhe bëhet kallëzim penal ndaj atij tatimpaguesi.

Verifikimi në vend paraqitet si një kategori e tretë e metodave kontrolluese të punës së bizneseve. Kjo metodë është e ngjashme me procedurën e vizitës që përcakton legjislacioni tatimor në Kosovë, mirëpo atë e dallon mundësia e bllokimit të përkohshëm të biznesit.

Në Kosovë gjendja qëndron ndryshe pasi inspektorët tatimor nuk kanë të drejtë që të mbyllin punën e një biznesi edhe nëse i njëjti haset disa herë duke mos lëshuar kuponë fiskal.

Inspektoret në Kosovë kanë të drejtën që vetëm të konstatojnë parregullsi në teren, ndërsa gjobat e konstatimeve të tyre mund të shqiptohen vetëm nga ZGJON-a, e njohur si Zyra për Gjoba dhe Ndëshkime.

Kjo ka bërë që vendi ynë përpos mos deklarimit të tatimeve të ketë edhe një numër të madh të bizneseve të pa regjistruara në sistemin tatimor.

Sipas të dhënave zyrtare vetëm rreth 57% e bizneseve në Kosovë janë të pajisura me arka fiskale, gjë e cila shfaqë mungesën e bizneseve të cilat deklarojnë tatime në vend.

Kosova përballët edhe me probleme të tjera përpos mungesës së bizneseve të cilat nuk janë të pajisura me arka fiskale, e ajo është mungesa e numrave rendor në fletë kontrollet e inspektorëve të ATK-së, e cila paraqet rrezik për keqpërdorime nga zyrtaret tatimor në teren.

Mungesa e numrave rendor në dokumentet e kontrollit nënkupton ekzistimin e rrezikut që ato të asgjësohen nga zyrtarët e ATK-së dhe të mos mbeten gjurmë të shkeljeve të konstatuara me rastin e kontrolleve ne teren.

Pra pas përfundimit të një kontrolli tatimor dhe shënimit të parregullsive në dokumentin e kontrollit nuk ekziston asnjë siguri se dokumenti i përpiluar do të dërgohet në “ZGJON”-a për t’u ndëshkuar kjo pasi ai dokument mund të asgjësohet dhe në vend të tij të përpilohet ndonjë raport tjetër nëse ka qëllime për keqpërdorime.

Në këtë mënyrë Administrata Tatimore e Kosovës nuk mund të jetë në dijeni për një asgjësim të ndonjë raporti të kontrollit pasi nuk ka ndonjë numër në të cilin do të mund të evidentohej se një dokument i aktivitetit është asgjësuar.

Andaj me qëllim të evitimit të këtyre pengesave ligjore për zbatim sa më të mirë të sistemit tatimor në Kosovë nevojitet që legjislacioni tatimor të pësoj ndryshime pasi që nga viti 2013 nuk ka pasur ndryshime në ligjin për ATK-në dhe procedurat.

Mungesa e numrave rendor në listat e kontrollit të ATK-së shfaqë rreziqet për keqpërdorime