Kontrollet për eksport të vaksinave jashtë BE-së nuk vlejnë për Ballkanin

Bashkimi Evropian ka konfirmuar të premten vendosjen e kontrolleve për eksport të vaksinave për koronavirus, të cilat janë prodhuar brenda territorit të BE-së, ndërkohë që rriten pakënaqësitë për zvogëlim të furnizimeve.

“Mbrojtja dhe siguria e qytetarëve tanë janë prioritete dhe sfidat me të cilat përballemi nuk na kanë lënë zgjidhje tjetër”, ka thënë Komisioni Evropian.

Bashkimi Evropian ka bërë të ditura publikisht mospajtimet që ka me kompaninë AstraZeneca.

Kjo pasi blloku evropian është duke u përballur me presion në rritje për shkak të mungesës së vaksinave.

Komisioni Evropian ka bërë më herët publike edhe kontratën që ka nënshkruar me kompaninë AstraZeneca, duke thënë se kjo e fundit ka dështuar në mbajtjen e premtimeve.

Teksa ka bërë të ditura kontrollet në eksporte, Komisionarja për Shëndetësi e Bashkimit Evropian, Stella Kyriakides, ka thënë se masat janë prezantuar për të siguruar se të gjithë qytetarët e BE-së do të kenë qasje në vaksina, dhe se të gjitha palët respektojnë rregullat.

Kontrollet nuk do të vlejnë për vendet e Ballkanit Perëndimor

Nënkryetari i Komisionit Evropian, Valdis Dombrovskis, ka thënë po ashtu se siguria dhe shëndeti i qytetarëve të BE-së, është prioritet i Komisionit Evropian.

“Prioriteti ynë kryesor është mbrojtja e qytetarëve tanë. Vaksina është kyçe për të kthyer jetën dhe ekonominë në një situatë normale. Kemi të bëjmë me një garë me kohën dhe nuk kemi më kohë për të humbur“, ka thënë ai duke shtuar se masat përmes së cilave do të mund të mos lejohet eksporti i vaksinave të prodhuara në BE do të jenë të përkohshme dhe do të zgjasin deri në fund të muajt mars.

Sipas këtyre masave, prodhuesit do të duhet të sigurojnë leje për eksport nga shtetet ku prodhohen vaksinat. Një leje e tillë mund të mos jepet nëse vlerësohet se ajo kompani nuk i ka kryer obligimet nga kontratat me BE-në për furnizimin me dozat sipas kontratave.

Por, nënkryetari i Komisionit Evropian ka sqaruar se këto masa nuk do të vlejnë për eksport në vendet e Ballkanit Perëndimor, ato të fqinjësisë lindore si dhe në vendet e varfra dhe vendet më pak të zhvilluara, të cilat do të sigurojnë vaksinat përmes nismës COVAX.

Sipas tij, nga këto masa do të përjashtohen rreth 92 shtete. REL