Kontrolle në pompat e derivateve dhe lokale të masazheve, Inspektorati gjen shkelje të shumta ligjore

Inspektorati Qendror i Punës ka bërë të ditur se është duke kryer inspektime në pompat e derivateve dhe lokalet e masazheve.

Sipas njoftimit, kryeinspektori i IQP-së, Hekuran Nikçi, së bashku me zv.ministrin e Ministrisë së Financave, Agon Dobruna, po mbikëqyrin nga afër procesin e inspektimit të zhvilluar të premten në mbrëmje, më 15.11.2024.

“Në përcjelljen e kamerave të Kallxo.com inspektorët e punës z. Neki Krasniqi dhe z. Gëzim Sahiti po kryejnë inspektime në pompat e derivateve dhe lokaleve të masazheve”- thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, inspektorët e IQP-së kanë evidentuar shkelje të shumta ligjore në subjektet e inspektuara.

“Deri më tani nga inspektorët e punës janë evidentuar shkelje të dispozitave ligjore ku u gjetën punëtorë të paformalizuar, orë jashtë orarit të rregullt të punës dhe orë të punës në vikende të pakompenzuara, ditë të pushimeve të pakompenzuara dhe shfrytëzuara si dhe punëtorë shtetas të huaj pa leje pune dhe leje qëndrimi në Republikën tonë”- thuhet në njoftim.

IQP thotë se ka intensifikuar dhe e ka katërfishuar numrin e kontrolleve për të mbikëqyrur dhe mbrojtur të drejtat e punëtorëve.