Kontributi njerëzor, fokus i festivalit `Anibar` këtë vit

Edhe pse këtë vit ka ndryshuar formati i festivalit të filmit të animuar Anibar, ky edicion përmes platformës online do të shfaq program  artistik, duke vendosur në qendër punën dhe angazhimin njerëzor.

Vullnet Sanaja, drejtor i Anibar tha për KALLXO.com se qëllimi i edicionit të njëmbëdhjetë të festivalit është njohja e kontributit të njerëzve të cilët po angazhohen për njerëzimin dhe Tokën.

“Këtë edicion të festivalit ne do t’ua dedikojmë të gjithë atyre që shërojnë, japin mësime, krijojnë, mbrojnë, angazhohen, pastrojnë, shkruajnë, këndojnë, rrëfejnë, shërbejnë, gatuajnë, ndihmojnë, kujdesen, zhvillojnë, ngushëllojnë, mbështesin dhe informojnë”, tha Sanaja.

Tutje, ai njoftoj se filmat do të transmetohen përmes plaformës Shift72 ndërsa prezantimet, panelet, masterklasat do të organizohen gjithashtu online përmes Zoom dhe do të shfaqen në rrjete sociale.

“Versioni online është i përgatitur dhe të mbahet prej 17-23 gusht, përndryshe, pjesa e tjetër e aktiviteteve varet edhe nga rekomandimet e qeverisë”, tregoi Sanaja.

Ndërsa për mundësinë që festivali të mbahet edhe virtualisht edhe fizikisht ai tha ka mundësi që të mbahet edhe dy format, nëse merren të gjitha masat parandaluese duke filluar nga distanca, bartja e maskave, dezinfektimi dhe masat tjera sipas rekomandimeve.

Sanaja tha se programi artistik përmban filmat garues, programin e filmave për të drejtat e njeriut, panelet dhe performancat publike që ndërlidhen me temën, punëtori, masterklasa, prezantime, filma të metrazhit të gjatë të animuar.

Tutje, drejtori i Anibar tha se përvec programit që do të ofrojë këtë vit Anibar dhe përtej sipërfaqësimit të atyre që shërbyen dhe ende po shërbejnë në rendin e parë të detyrës, synon po ashtu të shpërfaqë e të nxis rimendimin e asaj se çfarë na bën neve njerëz.

“Të pikëpyes se si është e mundur që ne në rrethana të jashtëzakonshme jemi në gjendje të marrim vendime e veprime që bien në kundërshti me vlerat dhe parimet tona si qenie njerëzore. Të vë në pikëpyetje se si në këto rrethana ne mund të ndryshojmë në mënyrë që të përmirësohet njerëzillëku ynë, ndjeshmëria për komunitetin dhe marrëdhënia jonë me mjedisin”, u shpreh ai.

Vitin e kaluar të ftuar special ishin dy regjisorët e serisë së famshme “Rick and Morty”, Bryan Newton dhe Matt Taylor, ndërsa edhe këtë vit do të ketë prezantime me të ftuar nga industria, për të cilët do të njoftohet ditët në vazhdim.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Animuar dhe Animacionit , këtë vit do të mbahet në mënyrë virtuale nga 17 deri me 23 gusht, në të cilin do të shfaqen 139 filma të përzgjedhur.