Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kontratat mbi vepër - Komunat që zbatuan rekomandimet e Auditorit 

Egzon Thaqi ka marrë një kontratë 12-mujore për shërbime nga komuna e Rahovecit.

Ai është kontraktuar nga Komuna e Rahovecit për t’i ofruar asistencë fermerëve me rastin e aplikimit për subvencione në bujqësi.

Për dallim nga e kaluara, kur shumë institucionet kontratat mbi vepër i kanë dhënë pa asnjë procedurë, Rahoveci për angazhimin e Thaqit ka aplikuar procedura të prokurimit.

“Ne përmes mediave jemi njoftuar në muajin nëntor që janë hapur procedurat përmes KRPP-së. Ka qenë mundësia me apliku pas përfundimit të kontratave për shërbime të veçanta dhe në momentin që është hapur konkursi në Komunë e Rahovecit jemi njoftuar përmes mediave po ashtu dhe kemi ardhur në administratë këtu në komunë, na kanë drejtuar për tek zyra e prokurimit”, thotë Thaçi.

Ai ka thënë se ka aplikuar online përmes faqes së Prokurim Elektronik.

“Ata na kanë treguar se mundemi përmes uebfaqes me i pa procedurat se si është mënyra me apliku. Dhe kemi hyrë në uebfaqe të KRPP-së dhe aty kanë qenë të gjitha manualet se si është mënyra me apliku. Së pari me u regjistru si operatorë ekonomik, pastaj si të përgatitet dhe dorëzimi i ofertës dhe brenda ditës i kam kry gjitha procedurat e nevojshme”, shton Thaqi

Thaçi ka treguar se procesi i punësimit si konsulentë ka zgjatur rreth 40 ditë.

“Momentin kur kemi dorëzuar ofertën me gjitha dokumentacionet e nevojshme ka qenë faza e aplikimit, pastaj ka qenë faza që dikush që ka aplikuar kanë pasur ankesa të ndryshme dhe pas përfundimit të të gjitha procedurave atëherë jemi njoftuar për pranimin në punë, diku afër 40 ditë”, thotë Thaqi.

“Po ndjehem mirë në krahasim me kontratat e viteve të kaluara që kanë qenë për shërbime të veçanta 6 muaj. Këto përveç që janë të mjaftueshme 12 muaj, kemi kohë dhe mundësi me dëshmu veten në punë por edhe e fitojmë një përvojë të duhur gjatë kësaj periudhe të shërbimit në kuadër të drejtorisë”, thotë ai.

Komuna e Rahovecit e ka shfrytëzuar Ligjin e Zyrtarëve Publikë për të angazhuar ekspert përmes procedurave të prokurimit.

E disa komuna të tjera kanë zgjedh që mos ta angazhojnë fare staf shtesë në mënyrë që të adresojnë rekomandimet e Auditorit për adresimin e shkeljeve gjatë angazhimit të personave me marrëveshje për shërbime të veçanta.

Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma thotë se nuk kanë pas buxhet për angazhim të ekspertëve.

“Është e vërtetë që s’kemi pasur kontrata në vepër edhe pse si komunë deshe apo nuk deshe shumë herë të imponohet me pas punëtorë me kontrata në vepër, sidomos disa aktivitete që nuk kemi punëtor mjaftueshëm ose janë disa punë sezonale që duhet të kryhen brenda një viti dhe nuk kemi ndonjë zyrtar të caktuar për atë punë dhe obligohesh që të kesh punëtor me kontrata në vepër”, tha ai.

Rufki Suma. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

“Edhe për shkak pandemisë edhe për shkak se buxheti i vogël jemi mundu që të kursejmë dhe të mos marrim punëtor me kontrata mbi vepër, kur dihet që tani për tani edhe ligji ka ndryshuar sepse nëse duhet të merret një punëtor me shërbime duhet të shkojnë procedurat përmes prokurimit dhe jo si më herët që ka qenë procedurë administrative”, shtoi kryetari Suma.

Edhe Komuna e Suharekës që nga viti 2018 nuk ka pasur asnjë rekomandim nga ana e auditorit për angazhimin e personave për shërbime të veçanta.

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj thotë se telashe po i shkakton pamundësia e plotësimit të vendeve të lira të punës.

“Me Ligjin e ri nuk kemi të drejtë me marrë punëtor me kontratë mbi vepër, edhe pse kemi nevojë me thënë të drejtën, i kemi disa drejtori që me të vërtetë e kemi problem me përcjell punë në teren. Rast konkret e marr drejtorinë e shërbimeve publike, ku janë 150 projekte duke u zhvillu në teren, kemi problem me 4-5 inxhinierë me i përcjellë të gjitha punimet, pasi që kemi punë shumë”, thotë ai.

Bali Muharremaj. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

“Po kemi diku rreth 12-13 vende vakante, sipas Ligjeve në fuqi ne kemi shpallur konkursin e brendshëm, zbatojmë konkursin,  jemi duke punu dhe besoj që shumë shpejtë do të shpallet edhe konkursi i jashtëm për vendet që i kemi vakante, në nivel komuna”, shton Muharremaj.

Kryetari i Hanit të Elezit, Rufki Suma thotë se do ta kenë të vështirë të angazhojnë ekspert për shkak të procedurave të prokurimit.

“Mendoj që ka probleme, shembull nëse kemi të bëjmë me urbanizëm ne na nevojitet  një ekspert ose ndonjë projektor që është i lamisë së projekteve dhe nëse më herët ke mujt me gjet atë ekspert dhe ke mujt me angazhu, tani sipas ligjit duhesh me shpall konkurs dhe ligjet në fuqi nuk e përcaktojnë ekonomikisht më të favorshmin, por thonë që të jetë më i lirë dhe çmimi më i lirë i ka pasojat e tjera për shkak se nuk mund ta angazhosh atë person që i ka ato specifika të veçanta”

Auditori thotë se angazhimet përmes prokurimit ofrojnë më shumë konkurrencë dhe transparencë.

“Në korrikun e vitit 2020 më hyrjen ne fuqi të Ligjit për Zyrtarë publik, më saktësisht të nenit 84 të këtij ligji, i obligon të gjitha organizatat buxhetore që në momentin kur kanë nevojë për kontrata të tilla të shfrytëzojnë ligjin e prokurimit publik. Ideja e ligjit pse e ka rregulluar përmes kësaj forme ka qenë që të rritet sado pak konkurrueshmëria, transparenca, gjatë angazhimit të këtyre kandidatëve për shërbime të caktuara”, shton ai.

Deri më tash, komunat kanë pranuar rekomandime nga Auditori për të adresuar shkeljet e bëra gjatë angazhimit të personave me kontrata mbi vepër.

Shkeljet më të shpeshta të identifikuara nga Auditori ishin: mungesa e procedurave të rekrutimit dhe angazhimi i personave për pozita dhe profile që veç kanë qenë të punësuar në komunë.

Rregullat e reja i mundësojnë komunave dhe institucioneve të angazhojnë ekspert me kontrata për shërbime me kohëzgjatje deri në 36 muaj.