Agron Mustafa | Foto: Facebook
Kontrata e Telekomit me "Paykos", Apeli refuzon kërkesën e avokatit për hedhje të aktakuzës ndaj Agron Mustafës
Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesën e Agron Mustafës, ish-kryeshefit të Telekomit të Kosovës, kundër vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës. Ai ishte ankuar ndaj vendimit të kësaj gjykate, e cila nuk ia kishte aprovuar kërkesën për hedhje poshtë të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.
Ish-kryeshefi i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, akuzohet për lidhje të kontratës së dëmshme në rastin “Paykos”, që sipas prokurorisë i ka shkaktuar dëm Telekomit në vlerë prej 6.7 milionë eurove.
Vendimi i Apelit i cili lë në fuqi aktakuzën ndaj Mustafës është marrë me datë 14.08.2024.
“REFUZOHET si e pa bazuar ankesa e mbrojtësit të të pandehurit Agron Mustafa, ndërsa aktvendimi i Gjykatës Themelore i datës 05.03.2024, VËRTETOHET”- thuhet në vendimin e Apelit të datës 14.08.2024.
Prokuroria e Prishtinës kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-kryeshefit të Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, me datë 03.05.2023 për shkak të veprës penale në vazhdimësi lidhja e kontratës së dëmshme, në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të Telekomit të Kosovës që nga 16.03.2015 e tutje.
Gjykata e Prishtinës më 05.03.2024 kishte refuzuar kërkesën e mbrojtësit të Agron Mustafës, avokatit Driton Muharremi për hedhjen poshtë të aktakuzës dhe kundërshtimit të provave, pasi i njëjti nuk e kishte pranuar fajësinë lidhur me pretendimin e prokurorisë.
Kundër këtij vendimi ishte ankuar në Gjykatën e Apelit i pandehuri Agron Mustafa me avokatin Driton Muharremi. Ata janë ankuar për shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, konstatim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe shkelje të dispozitave materiale me propozim që Gjykata e Apelit ta hedhë aktakuzën.
Prokurori i Apelit me parashtresë kishte propozuar që ankesa të refuzohet si e pa bazuar dhe të vërtetohet aktvendimi ndaj të cilit është deponuar ankesë.
Në ankesën e parashtruar nga mbrojtja e Agron Mustafës është thënë se “qysh në fazën e hetimeve prokurorja në mënyrë të kundërligjshme kishte marrë aktvendim për pezullimin e hetimeve, për faktin se lëndën e ka dërguar në Shqipëri për superekspertizë me qëllim që të parandalojë parashkrimin absolut e kjo është në kundërshtim me dispozitat e nenit 157 të KPPRK-së”.
Gjithashtu mbrojtja në këtë ankesë kishte shtuar se “aktakuza nuk e plotëson as standardin minimal të dyshimit të bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale që i vihet në barrë, e lëre me standardin e dyshimit të bazuar mirë që nevojitet për tu proceduar më tutje me shqyrtim kryesor”.
Gjykata e Apelit pretendimet e mësipërme të mbrojtjes së Agron Mustafës i kishte konsideruar se nuk janë të bazuara
“Kjo gjykatë po ashtu vlerëson se në rastin konkret ajo çka është relevante për këtë fazë të procedurës penale, është fakti se akuza mbështetet në prova thelbësisht të mbështetshme dhe të marra konform dispozitave ligjore dhe se nuk ka vend për hedhjen e akuzës, ngase vepra penale për të cilën akuzohet i pandehuri paraqet vepër penale, nuk ekzistojnë rrethana që e përjashtojnë përgjegjësinë penale” – vazhdohet tutje në vendimin e Apelit.
Pas më shumë se dy viteve nga dorëzimi i kallëzimit penal nga Telekomi i Kosovës për rastin e kontratës së lidhur në mes të Telekomit të Kosovës dhe kompanisë “Paykos”, Prokuroria e Prishtinës e kishte kurorëzuar me aktakuzë më 04.05.2023.
Prokuroria në aktakuzë thotë se Mustafa, përmes lidhjes së anekseve dhe marrëveshjeve ka ndryshuar kushtet e kontratës në disfavor të Telekomit, në vend se t’i mbrojë interesat e ndërmarrjes.
“I njëjti me dashje i ka shkaktuar dëm në shkallë të madhe Telekomit të Kosovës, dhe atë në vlerë prej 6,796,732 euro” – thuhej në njoftimin e Prokurorisë.
Në ndërkohë kontrata është duke u trajtuar edhe në Arbitrazhin Ndërkombëtar pasi është dërguar nga ana e kompanisë “Paykos” në vitin 2021, pas shkëputjes së kontratës nga ana e Telekomit të Kosovës.
KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar për kontratën e lidhur mes Telekomit të Kosovës dhe kompanisë “Paykos” dhe dëmet e pretenduara nga kjo kontratë.
Historikun e kontratës me “Paykos” e gjeni në këtë LINK.
Raportimet e tjera në lidhje me këtë rast mund t’i gjeni në këtë LINK.