Foto: Ilustrim

Kontrata e dyshimtë prej 450 mijë eurosh e Telekomit, arrestohen tre persona

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka ndaluar tre persona, për kontratën e dyshimtë prej 450 mijë eurosh të lidhur në mes të Telekomit dhe një operatori ekonomik me emrin ‘Zone Mobile’.

Sipas njoftimit, në vazhdën e ndërmarrjes së veprimeve hetimore në rastin e kontratës së lidhur mes Telekomit dhe ‘Zone Mobile’, me vlerë rreth 450 mijë eurove, ka vazhduar aksionin me urdhër të Prokurirt të Shtetit, në bashkëpunim me ATK-në dhe Drejtorinë e Hetimeve kundër Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.

“Gjatë këtij aksioni janë kryer kontrollet e shtëpive dhe lokaleve në komunën e Prishtinës, Pejës dhe Prizrenit, ku janë konfiskuar dokumente të ndryshme dhe mallra në vlerë rreth 30,000 € , si dhe janë arrestuar tre  persona të dyshuar”, thuhet në njoftim.

Personi me inicialet F. A., pronar i ‘Zone Mobile’, dyshohet se ka kryer veprën penale ‘Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurorim publik’ dhe ‘Shmangia nga Tatimi’.

I dyshuari tjetër me inicialet A. P., pronar i ‘Kompex’, dyshohet se ka kryer veprat penale ‘Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin’, si dhe i dyshuari tjetër me inicialet G. H., pronar i kompanisë ‘Versacop’, dyshohet se ka kryer veprat penale ‘Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin’ dhe ‘Shmangia nga tatimi’.

“Të dyshuarit, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe ndaj të njëjtëve brenda afatit ligjor do të paraqet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

​KALLXO.com kishte raportuar më 30 mars, për arrestimin e një ish-drejtori të Financave dhe një ish-drejtori të Marketingut në Telekom.

Në total në atë kohë ishin arrestuar katër persona, me inicialet T. M., A. O., K. M. dhe D. C.

Të lartëcekurit dyshohet se  në cilësinë e personave zyrtar të Telekomit, gjatë zbatimit të kontratës në vlerë prej 327 mijë eurove, kanë keqpërdorur për përfitime personale këtë kontratë.

Arrestimet në Telekom, dyshime për keqpërdorimin e mbi 327 mijë eurove